E diela poetike me poetin;Faruk Tasholli

JAM SHQIPTAR I PA NDERË

—————————————-

Jam shqiptar trim i pa nderë

N’hallakamë e në poterë,

Kur i prij turmës së shkretë

Marr forcë, them, i preka retë!

Çakërdisem, krenar mburrem

S‘di kur ndalem di kur turrem,

Për vend t’parë e për pushtet

S’lë gur bashkë s’ka kush më pret!

Njëqind vjet e tej tëhu

Këtu pushteti u mor me hu,

Veç ta kesh turmën pas veti

Ku t’ia mësyejsh t‘çon rrëmeti!

Kur kaloj në ekzaltim

E rrah shpullë policin tim,

Nuk çaj kokë as merakosem

Para popullit dal krekosem!

Si t’i bija shpullë pushtetit

Kryeministrit, n’ballë të shtetit,

Pse jem` brum i ndarë në dysh

Ai është rrenc unë pak më ndyrsh?!

Jam shqiptar trim i pa nderë

Qes për goje flakë e vrerë,

Se këtë shtet që e do zemra-

Rrenë e nisëm, jeton me rrena!