Shkelja e Kushtetutës, LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci

                               Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese ka gjetur dje se Nagavci e ka shkelur Kushtetutën duke ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës për reformën në arsim.Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri deklaroi se Kushtetuta duhet të mbrohet nga qytetarët, pasi sipas tij pushteti po e shkelë atë.“Qytyetarët duhet që ta mbrojnë Kushtetutën, veçanërisht kur Kushtetuta shkelet nga pushteti. Kosova ka ndërtuar një standard demokratik të respektimit të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese më të mirë në rajon. Ne si subjekt e kemi dhënë shembullin e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në secilin rast”, deklaroi ai.E për qeverinë, Tahiri tha se për një vit e ka shkelur dy herë Kushtetutën.“Megjithatë, Qeveria Kurti në këtë një vit ka arritur që të shkelë disa herë Kushtetutën e Kosovës, të vërtetuar me aktgjykime të plotfuqishme të Gjykatës Kushtetuese. Rasti i parë ishte për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil të Kosovës, e rasti më i freskët është aktgjykimi i Kushtetueses me të cilën u vërtetua se ministrja e Arsimit , Arbërie Nagavci e ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë ai.Për vendimin e Kushtetueses lidhur me ministren Nagavci, u deklarua edhe Jehona Lushaku-Sadriu.Ajo tha se vendimi i Kushtetueses vërteton se Nagavci dhe MAShT-i e kanë shkelur Kushtetutën, duke u përzier në reformën në arsim në nisur në Kamenicë nga ish-kryetari Qëndron Kastrati.“Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jo kushtetues vendimin për riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës i nxjerr me 23 prill 2021, që është marrë nga ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përkatësisht nga ministrja Arbërie Nagavci. Ky vendim vërteton se MASHT ka shkelur Kushtetutën duke tejkaluar kompetencat e saj dhe ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës.Më tutje, zyrtarja e LDK-së pohoi se vendimi tregon se Qeveria e ka keqpërdorur arsimin për fitime elektorale.“Ky vendim përveç që është jo kushtetues tregon se si Qeveria aktuale e ka përdorur arsimin për fitime elektorale. Ju kujtojmë që ky vendim është marrë pikërisht në kohë fushate gjatë zgjedhjeve të kaluara”, tha ajo.Lushaku kritikoi ministren Nagavci që nuk dha dorëheqje.E një ministre si Nagavci, sipas Lushakut nuk mund ta udhëheq arsimin. “Kjo ministre nuk mund ta udhëheq arsimin ku edukohen gjeneratat e ardhshme. Ajo nuk është shembull i mirë. Arsimi duhet të udhëhiqet nga njerëz me kredibilitet dhe që kanë përgjegjësi. Andaj LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci”, tha ajo.