E diela poetike me poetin; Sabit Rrustemi
MUNGESA JOTE NUK TROKET TEK UNË
——————————————————–
Pak kohë ka mbetur për t’u nisur
andej prej nga nuk kthehemi
më.
Ato që m’u deshën tashmë i mbylla,
të tjerat që s’i mora me vete
janë shpërndarë gjithandej stinëve.
Në shenjë proteste heshtin
e unë
me mallin tënd fshehur diku bebëzave
jetoj kohën që ikën pa ty,
me fjalët që tresin e përzjarrjen deri në hi
po ndjenjat ende s’njohin kufi.
Dita ime e pritshme,
kur të shpërgjumesh ëndrrash
zgjohu e dil nën qiellin gri,
rimbushi dejt me dashuri
kthjellu e shih.
Mungesa jote
asnjëherë nuk troket tek unë
sall vetja ime te Ti.