E diela poetike me poetin:Xheladin Çitaku

QË KUR

*

Shpirtin

në ankand ma nxorrët,

tregtarë flamujsh

lozni me të,

që kur shpresën

ma morët.

Virtytin

moçalesh ma hodhët,

pinjollë apostujsh

kohësh të errëta,

që besën

ma vodhët,

*

Shpirtin

në ëndërra e lodha,

në flatra të thyera

përpëlitet,

që kur vegimin,

për fanar,

e zgjodha.

Virtytin

kotësive e treta,

udhëve të braktisura

zvarritet,

qëkur, në ylbere fytyrash,

pa maskë

mbeta.

*

Shpirtin

e ngrohin mëngjeset,

që do zbardhin patjetër

universit të jetës,

se ndriçimin

e diellit

s`e prangosin dot

veset.

Xhela.@…

08.04.2022