Smajl Latifi padit udhëheqësin e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, ia kërkon 100 mijë euro për shpifje gjatë fushatës zgjedhore
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka paditur Gjergj Gojanin, udhëheqës i sektorit të Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, për shpifje gjatë fushatës zgjedhore dhe nga i njëjti po kërkon 100 mijë euro kompensim dëmi.Këtë padi, Latifi e ka parashtruar pasi që sipas tij, veprimet e të paditurit Gojani e kanë dëmtuar në masë të madhe reputacionin e tij, pikërisht gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale në tetor të 2021-ës, duke krijuar përceptimin dhe bindjen në publik, se kryetari i Komunës së Rahovecit ka kanosur Inspektorin e Arsimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.Padia e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë parashtruar në Gjykatën Themelore në Gjakovë më 7 prill 2022.Në padi thuhet se i padituri Gergj Gojani, në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të Inspektoratit të Arsimit në Giakovë (Inspektor i Arsimit), më 21 shtator 2021, kishte lëshuar një vendim me të cilin (kinse) ka konstatuar shkelje dhe parregullsi dhe shkelje të ligjit në Drejtorinë e Arsimit në Rahovec dhe kishte marrë vendim ku kishte kërkuar fillimin e procedurës disiplinore dhe shkarkimin e drejtorit të Arsimit, Avni Morina.Tutje, në padi thuhet se me të pranuar vendimin, paditësi ka telefonuar të paditurin dhe ka kërkuar të sqarohet në lidhje me përmbajtjen e vendimit, sepse sipas tij, i njëjti është i kundërligjshëm, nuk hyn në domenin e detyrave dhe përgjegjësive të Inspektoratit të Arsimit, marrja e një vendimi me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore dhe shkarkimin e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit.Ne lidhje me vendimin, thuhet se për bazën juridike dhe (kundër) ligjshmërinë e të njëjtit, është vendosur nga ana e Inspektoratit në shkallë të dytë, sipas ankesës, ku është anuluar vendimi i nxjerrë nga inspektori Gojani.Ndërsa, sipas padisë pas bisedës ndërmjet paditësit Latifi dhe të paditurit Gojani, ky i fundit më 1 tetor 2021 ka paraqitur në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kallëzim penal ndaj paditësit, me kërkesë për fillimin e procedurës penale për veprën penale të kanosjes.Në padi thuhet se në kohën e paraqitjes se kallëzimit penal ishte fushata zgjedhore dhe ky kallëzim penal i paraqitur nga ana e të paditurit është shpërndarë nga të gjitha gazetat elektronike lokale dhe nacionale, e që për paditësin ka qenë impakt i padrejtë në performancën të cilën e kishte në bazë të sondazheve në lidhje me pritshmëritë në zgjedhjet komunale.Tutje thuhet se paraqitja e kallëzimit penal nga i padituri ka ndikuar dukshëm negativisht në opinionin publik, e që vërtetohet edhe me sondazhet e bëra, ndërsa menjëherë pas publikimit të kallëzimit penal, kishte debate të shumta dhe lajme online, nga të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike.Gjithnjë sipas padisë, thuhet se veprimet e tilla e kanë dëmtuar në masë të madhe reputacionin e mirë të paditësit Latifi, pikërisht gjatë fushatës zgjedhore, duke krijuar perceptimin dhe bindjen në publik se kryetari ka kanosur inspektorin e Arsimit.Ndërsa, me aktvendimin e 7 marsit 2022, është hudhur kallëzimi penal, me të cilin është vërtetuar se i padituri kishte bërë kallëzim penal, me qëllim të vetëm që të dëmtojë reputacionin (në cilësinë e kandidatit për kryetar të Komunës), në kohën e zgjedhjeve, për paditësin.Andaj, në bazë të kësaj paditësi ka parashtruar padi për shpifje, me të cilën ka kërkuar nga i padituri Gojani, kompensimin e dëmit në shumën pre 100 mijë euro si dhe shpenzimet procedurale. /BetimipërDrejtësi