Vizita në Hagë, Albulena Haxhiu përfiton 184 euro mëditje për takimin me ish krerët e UÇK-së
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ditë më parë vizitoi Dhomat e Specializuara në Hagë. Në qëndrimin e saj katër ditor, Haxhiu, mes të tjerash, takoi ish komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen si të paraburgosur aty e kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.Por, të paren e Ministrisë së Drejtësisë nuk e pritën në takim ish presidenti, Hashim Thaçi e ish kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.E për këtë vizitë, të cilën Haxhiu e quajti zyrtare, ministrja ka përfituar mëditje.Për katër ditë qëndrimi në institucionin e Kosovës që me seli është në Hagë, Haxhiu ka përfituar 184 euro mëditje nga buxheti i Kosovës.Këtë informacion, Gazeta Nacionale e siguroi me anë të kërkesës për qasje në dokumente publike, të cilën e parashtroi ditë më parë pranë Ministrisë së Drejtësisë.Në përgjigjen e tyre, ky dikaster ekzekutiv ka treguar edhe shumë që Haxhiu e harxhoi për bileta e akomodim.“Ministrja Albulena Haxhiu ka qëndruar në Hagë nga data 29 mars deri me 1 prill. Për 4 ditë qëndrimi në këtë udhëtim zyrtar, për bileta janë shpenzuar 327.72 Euro, akomodim 338.25, mëditje 184.00”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.Gjatë marsit, është raportuar edhe për shumën që delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë, i kryesuar nga zëvendësi i ministres Blerim Sallahu, që qëndroi në Hagë gjatë shtatorit të vitit 2021. Krahas Sallahut, në ‘ekskursionin’ në Hagë shkuan edhe shefi i Kabinetit të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, Genc Nimoni, dhe udhëheqësja e Divizionit për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare, Pranvera Ejupi-Hajzeraj.Mbi 3300 euro kushtoi vizita e Sallahut me dy të tjerë nga Ministria e Drejtësisë në Hagë shtatorin e kaluar, ndërsa secili nga ta morën nga 230 euro mëditje për qëndrimin në Dhomat e Specializuara.Kujtojmë që krahas Haxhiut, në Hagë së bashku me të qëndruan edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi dhe deputeti nga radhët e pakicave, Erxhan Galushi.Delegacioni nga Kosova nuk u prit në takim nga Thaçi e Veseli. E për këtë, pas kthimit nga Haga foli ministrja Haxhiu, e cila e quajti të paarsyeshëm refuzimin e dy ish liderëve të UÇK“Ne kemi treguar interesin tonë si institucione. Mendoj se mund të refuzosh të takosh një individ mirëpo kur bëhet fjalë për institucionet është më ndryshe. Mirëpo ne jemi të gatshëm sa herë që ata kanë nevojë që të na presin, ne të jemi. I mbetet atyre që kur të kthehen në Kosovë që t’i tregojnë arsyet se pse s’na kanë pritur. Konsideroj se nuk ka qenë e arsyeshme”, tha ditë më parë Haxhiu.Dhomat e Specializuara në Hagë treguan që vizita e Haxhiut tek të akuzuarit është personale.“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat e të paraburgosurve. Si çështje e përgjithshme, Udhëzimi mbi Vizitat dhe Komunikimet bën dallimin ndërmjet vizitave personale dhe vizitave speciale. Vizitat speciale përfshijnë ato nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe vizitat konsullore, vizitat e një gjyqtari, Sekretarit ose anëtarëve të stafit që veprojnë në emër të tyre. Të gjitha vizitat e tjera trajtohen si vizita personale”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës Speciale.Ndryshe, gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve po vazhdon ende në Gjykatën Speciale, të cilët akuzohen për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar.