Shqipëri, turizmi po ndjen pasojat e luftës në Ukrainë
Në Shqipëri industria e turizimit ka filluar të ndjejë pasojat e agresionit rus në Ukrainë. Çmimet janë rritur ndjeshëm dhe turistët ukrainas, rus dhe bjellorus numri i të cilëve po rritej çdo vit, duket se këtë sezon do t’i mungojnë turizmit shqiptar.Sipas të dhënave nga agjensitë turistike, bazuar në kontratat e nënshkruara më herët, pritej një numër prej 130 mijë shtetasish nga Ukraina.Për të tretin vit me radhë, që prej tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së koronavirusit, sektori i turizmit në vend po përballet me mjaft vështirësi.Industria e turizmit në Shqipëri prej disa vitesh po përballet me sfida të njëpasnjëshme.Agresioni rus ndaj Ukrainës ka sjellë, një tronditje në të gjitha tregjet dhe për pasojë rritje të çmimeve në zinxhirin e furnizimit.Edhe sektori i turizmit po ndjen pasojat e kësaj lufte, pasi siç thonë ekspertët e fushës, vihet re paralizim i një tregu të rëndësishëm për turizmin, siç është ai ukranias, bjellorus dhe rus.Numri i prurjeve nga këto vende gjatë viteve të fundit sipas statistikave zyrtare ka qenë në rritje.Operatorët turistikë thonë se pritshmëritë bazuar në prenotimet e deritanishme ishin për mbi 130 mijë turistë nga Ukraina, të cilët sipas tyre duket se do t’i mungojnë turizimit shqiptar.“Ka rreth 20 ditë ose pak më tepër, ku të gjitha tregjet sikur janë marrë vesh me njëra-tjetrën, kanë ndërprerë prenotimet e reja. Jo nën nivelin 100% por ka një pauzë. Nuk ka anulime por prenotimet nuk po vazhdojnë në ritmin e mëparshëm. Reflektimi i luftës është diçka që tani është bërë fakt”- tha për Zërin e Amerikës Arben Çipa, Kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut.
Turizmi ka një ndikim të ndjeshëm në ekonominë shqiptare dhe sipas Këshillit Botëror të Turzimit dhe Udhëtimit vlersohet me një peshë prej 27% në PBB. Tërmeti i dhjetorit të vitit 2019, që dëmtoi disa zona me potencial turistik, dhe pandemia e Kovid 19 e vunë në vështirësi sektorin e turizmit. Në vitin e parë të pandemisë numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri, u ul me 60%, për shkak të kufizimeve në lëvizje. Situata u përmirësua ndjeshëm në vitin 2021, dhe sipas statistikave zyrtare numri arriti në rreth 5 milionë e 700 mijë, por shifrat mbetën sërish më të ulëta se ato para krizës, rreth 700 mijë më pak. Dhe kur u duk se vështirësitë po tejkaloheshin, lufta në Ukrainë sipas ekspertëve e vë turizimin shqiptar përballë problematikave të reja.“Tri janë problemet kryesore me të cilat do të haset turizmi shqiptar. Rritja galopante e çmimeve, që nuk dihet se kur do të ndalojë.Mungesa e theksuar e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe ndryshimi i prurjeve pra i destinacioneve”- u shpreh për Zërin Amerikës Flora Xhemani Baba.Përfaqësues të operatorëve turistikë, bazuar në prenotime, thonë se këtë vit pritet një rikthim i tursitëve skandinavë, dhe rritje e numrit të atyre hollandez dhe italian. Një prej investitorëve në bregdetin e Durrësit, i cili drejton disa resorte, vitet e fundit e ka mbështëtur punën e tij kryesisht tek prurjet turistike nga Polonia dhe nga vendet skandinave. Shqetësimi i tij lidhet me faktin se kontratat me agjensitë turistike janë lidhur në muajt shtator- tetor të vitit të shkuar. Tani prenotimet janë nën kosto thotë ai, pasi të gjitha çmimet janë rritur, duke veçuar atë të energjisë me 80%, që prek këtë kategori biznesesh, të cilat paguajnë në varësi të tensionit prej nga furnizohen.“Kërkojmë trajtimin e energjisë elektrike me çmimin që ka qenë para janarit 2022. Ne furnizohemi nga tensioni i mesëm dhe çmimin e kishim 11.1 lekë për kwh, tani e kemi 18.5-18.7 lekë, i bie gati 80% rritja e energjisë elektrike. Shpresojmë që ta marin në konsideratë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Fatos Çerenishti, sipërmarrës i hoteleve “Fafa” në Durrës.
Unioni turistik shqiptar pak ditë më parë i ka kërkuar qeverisë që operatorët turistikë, të cilët kanë kontrata të nënshkruara në vjeshtën evitit të kaluar me homologët e tyre në vende të tjera, ta paguajnë energjinë me çmimin e mëparshëm, vetëm për këtë sezon, pasi e kanë të pamundur të ndryshojnë kontratat. Autoritetet thonë se kërkesa e tyre do merret në konsideratë në kordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, dhe shtojnë se ende nuk një vendim.Turizmi në Shqipëri ndërkohë vuan dhe nga problemet e vjetra, të cilat e pengojnë këtë sektor të zhvillohet. Në prej tyre lidhet me cilësinë e shërbimeve që ofrohen. Vetë investitorët thonë se kanë shumë vështirësi, për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar.“Pjesa që ka çaluar gjithmonë është pjesa e shërbimit. Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së eksperiencës në këtë fushë. Ende punonjësit tanë mendojnë, se kjo është një punë provizore, mendojnë të kalojnë sezonin dhe të mos kthehen më, nuk e konsiderojnë profesion. Prandaj duhet të luftojmë fort, që sezoni mos të mbetet 3-4 muaj por të zgjatet deri në 6 muaj, pse jo dhe 12 muaj”- u shpreh për Zërin e Amerikës Fatos Çerenishti, sipërmarrës i hoteleve “Fafa” në Durrës.Zyrtarët thonë, se në Shqipëri ka disa institucione arsimore profesionale për hoteleri-turizëm, të cilat sipas tyre ende nuk promovohen fort. Ndërkohë dhe në disa universitete në vend gjatë viteve të fundit janë çelur degë të posaçme për turizmin.“Sezonaliteti, i cili deri para 3 vjetësh ka qenë vetëm 3 muaj në vit, e ndërpriste tregun e punës dhe i bënte dhe ata që ishin të kualifikuar të largoheshin. Jemi tashmë në 6 muaj në vit dhe synimi është të shkojmë në 12 muaj. Por kemi ecur më shpejt me kërkesën, ka shumë më tepër kërkesë, se sa kemi ofertë. Ne ende nuk kemi ofertë të mjaftueshme në shërbim. Kemi marrë masa nxitëse, kemi ulur në 6% TVSH-në për të gjitha strukturat akomoduese dhe për hotelet 4-5 yje për investitorët strategjikë, kemi çuar në 0 të gjitha taksat, për një periudhë disa vjeçare. Kjo me qëllim për t’i dhënë nxitje investimeve strategjike. Po të shtojmë këtu që këto 4 vite jemi duke
menaxhuar kriza njëra pas tjetrës nuk është e e lehtë”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit.
Autoritetet thonë se synonë turizimin cilësor, duke evidentuar disa përmirësime në infrastrkturë dhe agroturizëm. Turizmi në Shqipëri vijon të matet me hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar në një vit dhe deklarimin e qëllimit të vizitës. Sipas statistikave 95% e 5 milion e 700 mijë shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë vitit të shkuar konsiderohen turistë. Peshën kryesore me rreth 50% ashtu si dhe me herët e mbajnë shtetasit nga Kosova, të ndjekur nga ata të Maqedonisë së Veriut, Italisë Malit të Zi, Greqisë Polonisë, Gjermanisë etj. Por sezoni i sivjetshëm turistik pritet të nisë me disa të panjohura, që e vënë këtë industri në vështirësi serioze për të tretin vit me rradhë. Ajo që dihet deri tani është rritja e konsiderueshme e çmimeve në tërësi dhe stepja e prenotimeve të reja nga destinacione që kishin filluar të konsolidoheshin./VOA