E diela poetike me poeten;Lulzime Malaj

Ajo ish e çmendur

————————————

Ja ku mu shfaq e njëjta rrugicë,

Në të dy anët pemë e drita neon,

Përdore me mua dhe imazhi saj,

Po hapi saj lozonjar mungon!

Ajo ish e çmendur, krejt e çmendur,

Në jetën time si ajo, kurr’ s’kam njohur,

Ajo s’pranonte t’i jepje një këshillë,

Pale pastaj, për t’i folur!

Rreth vetes së saj ajo rrotullohej,

Si smerald i rrëzëllente në sy liria,

Recetën e forcës ajo kurrë s’ma tregoi,

Po me siguri, pasaportë ish siguria!

Çdo ditë më dukej krejt ndryshe,

Jo për veshje’ trendi, a lukun si yll,

Po ish her’ e drojtur, e her’ tunduese,

Si manushaqet që çelin në prill!

Ajo ish aq e butë sa dhe arrogante,

Befas, kthehej në uragan a tërmet,

Kur qeshte ajo, unë s’e dija ku isha ,

Ndoshta më merrnin me vete retë!

S’di ku ësht’ tani, se rrugët m’i ka fshehur,

Ndoshta po eksploron një tjetër planet,

Po di që ish krejt, krejt e çmendur,

Dhe unë çmendurisht e dua vërtetë!

————————————-