E shtuna poetike me penën e artë të shkrimtarit;Gëzim Ajgeraj

Luftën e bëjnë trimat,

—————————————————————

ata edhe bëhen kandil i lirisë,

të gjallët duhet ta ndërtojnë atë,

e ta bartin me nder e krenari amanetin e tyre ndër breza.

Në përmasën e kësaj lufte e në piedestalin e saj e kemi dëshmorin, Sadedin R. Hasani, i cili me guximin e tij, vendosmërinë deri në militantizëm për lirinë e Kosovës u bë kandil i saj, për ta ndriçuar të ardhmen e brezave. Militantizmi i tij shkon më larg. Kap përmasat e ngjarjeve e të legjendave, sepse vetëdija e tij po shkonte drejt flijimit, ngase atë po e bënte për atdheun – për lirinë e kombit të tij. Por, kjo përmasë sa zbërthehet e rritet, për faktin se: Sadedini bashkë me bashkëshorten e tij, Feriden e dinin se rruga e vetme ishte flijimi. Atyre nuk iu ndanë as dy djemtë e tyre: Ylberi e Bedrushi, si dhe nipi i tij, Afrim Hasani. Edhe përkundër insistimeve të shumta nga vëzhgues të ndryshëm të situatës, të gjithë ishin të vendosur që të vdisnin duke luftuar. Kjo vendosmëri deri në militantizëm, jo vetëm e Sadedinit, por edhe e Afrimit dhe e djemve: Ylberit e Bedrushit, është madhështia e njerëzve të familjes Hasani, se për lirinë e atdheut, duhet luftuar dhe duhet flijuar. Por, duam të kapim edhe një element tjetër të vizionit të tij: Edhe pse dy nga djemtë e tij i kishte lejuar që t’i qëndrojnë krahë luftës, gjysma tjetër e familjes kishte kërkuar që të largohej, kjo për faktin se dy nga djemtë e tij bashkë me veten e nipin do t’ia jepte luftës për liri, ndërkaq dy të tjerë do t’ia linte Kosovës, për ta trashëguar familjen dhe për t’i shërbyer lirisë së Kosovës. Dhe, kur e zbërthejmë këtë largëpamësi të tij, përmasa e luftës, flijimet e kësaj familjeje, kapin epitetin e një legjende të kohëve moderne. Derisa kthehemi te fjalët që i thamë në fillim të këtij shkrimi, kuptojmë se pikërisht nga ky vizion primar është udhëhequr edhe vetë Sadedini, i cili luftës për liri i dha shumë, porse e la edhe trashëgiminë ndër breza, për ta bartur emrin, punën, guximin, trimërinë, atdhedashurinë dhe trashëgiminë brenda familjes Hasani në Celinë. Krejt në fund i themi lavdi veprës dhe luftës së Sadedin Hasanit, djemve: Ylberit e Bedrushit dhe nipit, Afrim (Hajredin) Hasani!

Lavdi të gjithë dëshmorëve që ranë në luftën çlirimtare të Kosovës!