E premtja poetike me poetin :Sahit Osmani

NË DREJTIM TË UDHËVE QË NUK JANË SHKELUR

———————————————————————-

Po shtrigan koha në vendin tim

përkundrejt njeriut që përpëlitet për jetë

djeg me zjarr dhe lëshon bubullimë

i buzëqesh të verbrit që udhën ka humb

Kah e si të kalohet nëpër cilën udhë

lëkundet dheu nga një nyjë lidhëse

breshëron papritur urrejtja për tjetrin

të ndarë si me perde ngushëllojmë veten

Bëjmë të tërhiqemi sa shumë e vështirë

në drejtim të udhëve që nuk janë shkelur

dita dhe nata bashkë si një stinë e bukur

na e mbulojnë trupin me gjethnajën e tyre

Peshon fort koha, breshëron e shtrigon

ulërimat rreth e rrotull sikur bluajnë

në cilat udhë kaq keq paskemi humbur

apo e kemi tjetërsuar vetveten tonë!