Pjesëz nga ditari i shtatorit të vitit 1992- Shkruan; Bashkim N.Hoxha
Vijon nga numri i kaluar 10. 1.2.3.4.5.6.7.8.9.10… . në fshatin Dobrusht do të merrja kontakt me Sali Saramatin. Gjësendet e sjellura duhej çuar në vendin e caktuar. Saliu ka qenë njëri ndër aktivistët e hershëm të ilegales shqiptare, përkatësisht pjesëtar i KKSHB , ka rënë dëshmor me 31maj1999 gjatë betejës së “Operacionit Shigjeta ” i drejtuar nga Shabi i Përgjithshëm i UÇK’së. .Saliu në asnjë moment, deri në ditën kur ka rënë duke luftuar nuk e ka ndërprerë aktivitetin e tij kombëtar. Është histori në vete përkushtimi dhe puna e Sali Saramatit në shërbim të çlirimit të vendit.
Mjetet e sjellura sigurisht ngjallin optimizëm në mesin shokëve me cilit bashkëpunonim. Janë organizuar trajnime të zbërthimit dhe montimit të disa lloj pushkëve madje janë bërë qitje : me kallashnikov, pushkë gjysmë – automatike (10-teshe), tomson, skorpion (uzi), M 48 etj, e me pistoleta të tipit TT 7.62, Colt Magnum 38, Parabellium 9mm, Valter 9mm, Zbrojevka 7.65, Zastava 7.65. mm etj.
Përveç nga Shqipëria, deri diku ishim furnizuar edhe nga brenda në Kosovë me disa lloje të armëve të lehta I blinim prej disa shitësve dhe shtërshitësve që i sillnin nga Novi Pazari, Mitrovica e vende të tjera, që për hir të së vërtetës na i shisnin bukur si shtrenjtë. Me siguri një ditë do të përmenden edhe ata “si pjesë e atij lloj furnizimi”
Kah mesi i shtatorit 1992 organizuam një takim brenda hapësirës së aeroportit bujqësor afër “barut’hanes” ku punonte babai im. Atje ka qenë një pistë për uljen dhe ngritjen e aeroplanëve bujqësor që ndodhte vetëm në sezona spërkatjesh të rrushit në atë zonë, sperkatjes se grurit etj. Nëse ndodhte të afrohej ndonjë patrullë milicije, sajonim ushtrimet e ngasjes me makinë. Në atë pistë disa autoshkolla si dhe njerëz privat mësonin të rinjve ngasjen e makinës, ishte vend i përshtatshëm.
Përveç pistës, në atë vend ka qenë një magazine e madhe me pesticide, të cilën e kemi shfrytëzuar një kohe për strehimin e mjeteve. Aty përveç babait tim, Nazimit, që i mbante çelësat, punonin edhe nja 4 roje që nuk kishin fare qasje në atë magazinë, që sidoqoftë dy prej atyre kanë qenë njerëz të besuar, u’a dinim oraret dhe shkonim në kohën kur ata qëllonin atje. Do të shkruaj më në detaje për këtë pjesë në shkrimet e ardhshme.
Në takim morën pjesë : Nazim Hoxha, Bedri Dervishi, Kujtim Hoxha, Refki Ajazaj, Rexhep Vezaj, Hajdin Xhahaj, Bashkim Hoxha … Të gjithe nga fshati im i lindjes, më vonë janë bërë pjesë e luftës së armatosur të UÇK’së. E përmenda këtë detaj pasi që ka pasur edhe nga ata që për ndonjë aresye ose fare pa arësye nuk kane qëndruar deri në fund në organizim madje e kanë lëshuar Kosovën duke mos u kthyer as gjatë luftës, paçka se ishin zotuar dhe betuar për ta ndihmuar kauzën çlirimtare me armë në dorë. Eshë çështje e tyre, nuk do t’ia përmendja kurrë sikur disa nga ata të mos i shihja kah shesin “ide revolucionariste” si si notohet nga bregu.
Biseduam në pika të shkurtra rreth organizimit, shtimit me kujdes të radhëve, trajnimet që duhet ndjekur në lidhje me përdorimin e armës etj. Kishte aktivistë me njohuri deri diku në lidhje me përdorimin dhe qitjen me armë pasi që e kishin të kryer shërbimin ushtarak, ndërsa shumica jo. E lam ditën e takimit të dheu i verdhë, apo të ara e las Haxhi siç e quanim pikëtakimin. Atje ka qenë një vend mjaft i përshtatshëm, nuk hetoheshin lëvizjet e njerëzve nga larg për shkak të konfiguracionit të terrenit dhe dendësisë së drunjëve, madje nuk dëgjohej as zhurma, e cila përthithej nga lugina e një lumi të vogël që sot më duket mban fare pak ose aspak ujë. Shtëpitë në afërsi si fjala vjen shtëpia e Ymet Xhahajt (las Ymet), përpos se nuk përbënin asnjë lloj rreziku për neve, përkundrazi ata mund të na informimin për ndonjë lëvizje të milicisë serbe, janë familje atdhetare, të organizuar dhe, djali i Ymetit, Hajdini (mësuesi) ishte pjesë e lëvizjes sonë. Pastaj kolibja (stalla e dhenëve) e familjes Badallaj nga Zhuri, përveç se nuk përbënte asnjë rrezik për neve, ajo kolibe na ka shërbyer për disa vjet – para dhe gjatë lufte si strehë e njerzve, mjeteve dhe vend-mjekim për disa të plagosur. Yzeri (la Yzer) ka ka qenë i organizuar brenda radhëve tona, na ka ndihmuar me të gjitha mundësitë që ka pasur në dispozicion. Natyra e punës sonë diktonte shtrirje vertikale dhe horizontale për ta lehtësuar dhe forcuar aktivitetin për të cilin ishim zotuar … Sigurisht në atë kohë vazhdimisht kemi qenë në kontakt duke bashkëpunuar dhe u konsultuar me veprimtarët veteran në përvojë të ilegales shqiptare – ish të burgosurit politik si Ruzhdi Saramati, Riza Vata, pastaj Idriz Qeriqi etj, këshillat e të cilëve kanë qenë mësim i madh për ne më të rinjtë.
E kam parasysh, disa gjëra të shkruara këtu mund të përbëjnë befasi për dikë, për shumë të tjerë jo – ngase i njohin ato ngjarje, sado modeste por të mundimshme, mbase interesante .