Flet organizatori i protestës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti: Kemi marrë mbështetjen të shumë qytetarëve
Të enjten e 26 majit duke filluar nga ora 12:00 do të protestohet para Kuvendit të Kosovës për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti).Adnan Jashari, organizator i kësaj proteste, në një prononcim për Telegrafin tha se kanë marrë mbështetje të madhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe qytetarët.Protesta siç tha ai do të jetë e qetë dhe do të marrin pjesë mijëra qytetarë. “Kemi marrë mbështetje prej qytetarëve dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Numri i protestuesve pritet të jetë i madh pasi qytetarët e kanë humbur durimin duke pasur parasysh vonesat në miratimin e ndryshimit në parim të Ligjit për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti)”, deklaroi Jashari.Ai shtoi se ka tre muaj që në rrjetin social Facebook e kanë krijuar grupin “PRO TERHEQJES 30% TË TRUSTIT” dhe deri tani janë anëtarësuar 26 mijë e 500 anëtarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të dalë në protestë.Mes tjerash, Jashari tha se kanë zhvilluar takime me deputetë të opozitës, të cilët kanë premtuar se kur projektligji të dërgohet në Kuvend do të votojnë pro, ndërsa sa i përket deputetëve pozitarë, sipas tij, nuk kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar për këtë çështje.Ndryshe, me 5 vota për, 5 kundër dhe një abstenim deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere nuk e kanë miratuar këtë të mërkurë ndryshimin në parim të Ligjit për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.Sipas procedurës parlamentare, në Kuvendin e Kosovës, ky Projektligj do të shqyrtohet pa aprovim të këtij Komisioni apo Qeverisë./Telegrafi