Në Prizren u mbajt marsh paqeje për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë
Në qytetin e Prizrenit, të hënën, më 11 korrik, u mbajt një marsh i paqes në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Pas këtij marshi, si simbol i paqes, u lëshuan pëllumba të bardhë.Organizatori i marshit, Edis Jonuzi, tha se 11 korriku i vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë, nuk duhet të harrohet kurrë.“Sot nuk jemi në Potoçari me nënat e Srebrenicës, por ato janë në zemrat dhe mendjet tona. Prandaj, nga këtu, ne boshnjakët, shqiptarët, turqit, romët dhe të tjerët nderojmë viktimat”, tha Jonuzi.Në marshin e paqes në Prizren, përveç pjesëtarëve të komunitetit boshnjak, morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj.Kjo është hera e pestë që në Prizren mbahet marsh paqeje në nderim të viktimave të gjenocidit.Rasim Demiri, përfaqësues i koalicionit Vakat, theksoi se “gjenocidi në Srebrenicë nuk ndodhi, por ishte planifikuar nga agresori serb”.Në marshin e paqes në Prizren morën pjesë edhe boshnjakë nga Novi Pazari, qytet në Serbi. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.“Ne po vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të krijuar paqe dhe stabilitet në gjithë Ballkanin dhe më gjerë, në mënyrë që masakrat e së kaluarës të mos përsëriten”, tha Sakar.Para mbajtjes së marshit, përmes rrjeteve sociale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia paturpshëm e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërkaq presidentja Vjosa Osmani, tha se “të gjithë duhet të bashkohemi kundër përpjekjeve për të madhëruar ose mohuar këto mizori të tmerrshme”.Më 7 korrik 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për Srebrenicën, që dënon gjenocid e regjimit serb ndaj pjesëtarëve të kombit boshnjak. Kjo rezolutë dënon ashpër mohimin e gjenocidit dhe 11 korrikun e shpall Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë tha se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.Më 8 qershor të vitit 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së konfirmuan dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq. Ai u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte në Bosnjë e Hercegovinë, të kryera ndërmjet viteve 1992 dhe 1995.Në fund të korrikut të vitit 2021, ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Inzko, bëri ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, duke ndaluar mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës dhe madhërimit të kriminelëve të luftës./rel