Çaste poetike me poetin;Hamit Taka
MËNGJESET E MIA
————————————–
Mëngjesi hedh rrënjë në sytë e mi të mbyllur,
Fëmijët – çerdhe shpirtrash ende po flenë,
Unë puth buzën e kaltër të agimit
Dhe ajrit të pastër në gjoks ia bëj folenë.
Mes vorbullës së gjakut tim rebel
Në trup ndjej etjen e nxehtë të jetës,
Duke mbartur në dorë dobësinë dhe guximin
Jam spektator, aktor dhe autor i së vërtetës…
Vdekje s’kam, vetëm me laps do ta fshij
Atë të shkurtrën jetë, që do të jetoj,
Le të boshatisen tempujt, ëndërra do më prij,
Tempullin e shpirtit me dashuri e pastroj…
A është e besueshme se ende mund të gjej
Shëmbëlltyrën time aq shumë të pritur
Në kufijtë e tiparet e një fytyre ta vërej
Edhe ditën e nesërme edhe forcën e çiltër?
Sa të tjerë do të kalojnë atje ku ne kaluam
Dhe atje ku ne erdhëm të tjerë do të vijnë.
Endërrën që shpirtrat tanë veçse e përvijuan,
Ata do ta vazhdojnë e fundin s’do t’ia dinë…
Ndjej piskamën e fëmijëve thellësive amësore
Dhe vdekja do të bëhet perëndi e dashurive
Dhe vallen paqësore rreth globit dorë për dore
Dhe udhën e shtrirë si një puthje drejt largësive…