Bllokimi i pagave për grevistët, Presidentja fton për takim përfaqësuesit e sindikatave dhe Qeverisë  

                         Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar për takim përfaqësuesit e sindikatave dhe Qeverisë, pas situatës së krijuar, meqë Qeveria ka bllokuar pagat për grevistët. Takimi pritet të mbahet nesër në orën 15:00, në ndërtesën e Presidencës së Kosovës. Se një ftesë e tillë u ka shkuar sindikalistëve e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.“Kemi marrë ftesë nga Kabineti i Presidentes. Takimi pritet të mbahet në orën 15:00, në objektin e Presidencës. Pjesëmarrës në takim pritet të jenë kryetari i BSPK’së, Atdhe Hykolli, dhe ai i Federatës së Shërbyesve Civil, e cila federatë është poashtu në grevë. Unë do të bëhem gati dhe do të shkoj kysmet nesër”, ka thënë Jasharaj për Reporteri.net.Ndryshe, Jasharaj është takuar sot edhe me krerët e dy partive më të mëdha opozitare.Fillimisht është pritur në takim nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e pastaj ka zhvilluar takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.Pas këtyre takimeve, Jasharaj tha se pret nga Presidentja Osmani që t’i shohë palët e barabarta.“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që kushdo që mundet ta bëjë një hap pozitiv drejt dialogut. I kemi thënë kabinetit të saj po dhe jemi në pritje, datë nuk kemi. Uroj që presidentja t’i shohë palët të barabarta. Po urojmë edhe te zoti që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë të fillojë dhe kemi shpresa edhe te ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, ka thënë Jasharaj për media. Ndryshe, Qeveria e Kosovës ua ka bllokuar pagat grevistëve. Punonjësit e arsimit, ashtu si edhe shërbyesit civilë, janë në grevë, me kërkesën për rritje pagash, përkatësisht për 100 euro shtesë./Reporteri.net