Pas votimit në Kuvend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar ligjin për Buxhetin
Ky hap nga presidenti, mundëson ekzekutimin e pagesave që qytetarët prej kohësh po i presin – e të cilat ishte e planifikuar të shpërndaheshin moti, por ndërrimi i qeverisë i vonoi.
“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite”, shkruan Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
“E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë”.
“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Ekzekutivi i vendit jam i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë”, pohon Thaci në këtë postim në Facebook.
“Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”./Insajderi.com