Çaste poetike me poeten:Mirela PAPUÇIU

GJITHMONË E KAM DITUR

—————————————————-

E kam ditur gjithmonë se asgjë s’është imja

e kështu me duar të kujdesshme kam prekur

dhuratat që më erdhën sqep zogjsh

e i mbështolla me mall ende pa ikur.

Se gjithmonë, gjithmonë e kam ditur

veç albumet e mia janë plot.

E kam ditur gjithmonë se fëmijët

janë dritë që shkulmon prej barkut të tokës

nga mbinë si kallëza gruri kokërrmirë

dhe se bukë do të bëhen në një magje tjetër.

Se gjithmonë, gjithmonë e kam ditur,

jo çdo natë hëna mbi ara breron.

E kam ditur gjithmonë se dashuria

është kalldrëmi që merret më këmbë

për të mbërritur krejt i vetëm tek vetja

nxjerrë prej brinjsh me thonj e me dhëmbë.

Se gjithmonë, gjithmonë e kam ditur,

u pagëzova të frymoj si udhëtim.

E kam ditur, gjithmonë e kam ditur,

me fjalë ikjesh shkruhet çdo ardhje

ndaj u bëhem karbon blatimeve të jetës.

Tani e di mirë, kaq mirë, se plotësia fshihet

në gjurmë pritjesh, humbjesh e mungesash.

E di mirë se asgjë, asgjë nuk është imja…