Çaste poetike me poeten:Linda AGOLLI
USHTARËT E ËNDRRAVE
————————————
Nuk shoh më ëndrra
Kaptoj botën time dhe gjendem në një tjetër
Pa zhelet e kësaj bote.
I pata nisur dikur në beteja
Ushtarët e pavdekshëm të ëndrrave
Ushtonte trumbeta
Gjëmonte ëndrra.
U pata ngritur monumente
Dhe gdhendur krahë
Ushtarëve të ëndrrave të mia.
Janë kthyer prej kohësh
Dhe unë prej kohësh fle mbi mermer
Kalojnë aty pari ata, ushtarë
Ende të parritur ,
Lëpijnë plagë imagjinare.
Eshtrat e mia mbetur mbi ëndrra
Gdhendin me mundim
Emra besnikësh.
Tani mbi shtrat të bardhë
Si pika e vesës, mbi gjethe fle,
E në rrëshqitsha
Do të jetoj në zemër të Detit. ————————————