“Nuk do të ketë kusht të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thonë nga Komisioni Evropian 
Nga Komisioni Evropian në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net thonë se edhe këtë vit do të prezantojnë një raport të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe se aktualisht po punohet në këtë përditësim i cili është vetëm “një dokument teknik që paraqet gjendjen e përditësuar që lidhet me standardet e liberalizimit të vizave për ta mbështetur në Këshill”.Laura Berard, zëdhënëse e shtypit në Komisionin Evropian tha se ky përditësim teknik nuk ka të bëjë me atë se do të shtohet ndonjë kusht i ri për Kosovën, sa i përket liberalizimit të vizave.“Është vlerësimi ynë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.“Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, që paraqet një gjendje të përditësuar të performancës në ato fusha që lidhen me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill”, thotë zyrtarja e shtypit të KE-së për Gazetën Online Reporteri.net.Komisioni Evropian thotë se “u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave”, dhe se KE i inkurajon ato që të vazhdojnë tutje me këtë proces.“Komisioni Evropian konfirmoi në korrik 2018 se Kosova i përmbushi të gjitha kushtet që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave. Ky vlerësimi ynë qëndron ende. Pas votimit në favor të liberalizimit të vizave të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me heqjen e vizave për Kosovën”, tha Laura Berard, zëdhënëse e shtypit në Komisionin Evropain./Reporteri.net/