A do të ekzekutohen pagat për mësuesit grevistë?
Ajo që vazhdon të mbetet e paqartë në këtë situatë është forma e ekzekutimit të pagave për grevistët. Drejtorët komunalë të Arsimit ka nisur t’i shqetësojë paralajmërimi i Qeverisë se grevistët nuk do t’i marrin pagat për aq kohë sa janë në grevë.
Ndaj këtyre paralajmërimeve ka reaguar Sindikata e Arsimit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Mosekzekutimin e pagave e vlerësojnë si shkelje ligjore.
Tri ditë para se të bëhet ekzekutimi i pagave për sektorin publik, ka mbetur e paqartë nëse pagat do t’i marrin edhe grevistët.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, thotë se ndalja e mundshme e pagave për punëtorët grevistë është e paligjshme.
“Nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 5 tetor sepse afati I fundit është kjo datë, atëherë mund të ketë edhe padi nga secili punëmarrës nga institucionet për shkak të mosekzekutimit të pagave për ata që janë në grevë sepse është e padrejtë që të mos ekzekutohen pagat nga dikush që nuk u jep punë atyre”, tha për RTK-në Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, përcjell Sinjali.
Shqetësim të njëjtë me kryetarin Aliu ndajnë edhe drejtorët komunalë të arsimit në Drenas dhe Fushë Kosovës, të cilët më 10 shtator kanë përcjellë listën e pagave në Ministri të Financave.
“Shpresojmë se do të procedohen në mënyrë të rregullt, ashtu siç është e paraparë me ligj”, tha Muhamet Gjoka, drejtor i Arsimit në Drenas.
Fatkeqësisht ne presim që të ketë penalizëm në paga nga qeveria për grevistët, derisa urojmë që kjo mos të ndodhë e të gjendet ndonjë marrëveshje sa më parë”, tha Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë
Por, drejtori Gjoka thotë se do të bëjë ç’është e mundur që të mos ketë penalizim për mësimdhënësit grevistë.“Komuna do t’i përdorë të gjithë mundësitë ligjore dhe mjetet ligjore që janë në dispozicion, për t’i garantuar të drejtën e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që t’i marrin pagat në bazë të kontratës që e kanë”, tha Muhamet Gjoka, drejtor i Arsimit, Drenas.Nënkryetari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, thotë se nëse Qeveria ndërmerr një veprim të tillë, do të bëjë vepër penale. Sipas tij, nëse Qeveria mendon se kjo është e paligjshme, atëherë duhet të ngre një procedurë tjetër ndaj punëdhënësit, duke shtuar se një veprim i tillë paraqet kërcenim ndaj grevistëve për ta përfunduar grevën.