13 të arrestuar, mijëra euro të sekuestruara, Prokuroria e Prizrenit jep detaje për aksionin “TOTO”

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një aksion i madh policor, i urdhëruar nga prokuroria e Prizrenit, ku në pranga u vunë 13 persona, u sekuestruan mijëra euro, 6 vetura.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” “Fajdeja”, “Sulmi”, “Detyrimi” etj.

Në mesin e të arrestuarëve është edhe një pjestar i Policisë së Kosovës.

Në njoftimin e tyre prokuroria ka njoftuar se të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, e se brenda këtij afati do të kërkohet që të njejtëve të u caktohet masa e paraburgimit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se gjatë një hetimi disa mujor në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe me Gjykatën Themelore në Prizren, me datë 05.10.2022 kanë zhvilluar një aksion të koduar me emrin “TOTO”, me ç’rast janë arrestuar të gjithë të dyshuarit – trembëdhjetë (13) persona, në mesin e të cilëve është edhe një (1) zyrtar policor.

Lidhur me këtë rast janë bastisur- kontrolluar 19 lokacione (vendbanime dhe lokale), dhe në cilësi të provave janë sekuestruar: – Para te gatshme – 55,388.00 euro (44,861.00 bankënota dhe 10.527.00 monedha të metalta); – Para të gatshme – 1,700.00 franga zvicerane; – Para të gatshme – 50,000.00 lek; – Para të gatshme – 100.00 dollar; – Para të gatshme – 1,320.00 dinar serb; – Dy (2) armë (një e shkurtë dhe një gjysmë- automatike); – Tridhjetë e nëntë (39) copë municion; – Njëzet e nëntë (29) telefona mobil; – Një (1) Kompjuter llaptop; – Dy (2) USB; – Treqind e pësëdhjetë (350) pako cigare pa banderola; – Gjashtë (6) vetura.

Personat e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Prizren për të njëjtit, do të kërkoj nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit. Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294, “Fajdeja” nga neni 331, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, “Sulmi” nga neni 184, “Detyrimi” nga neni 328 dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.