Çaste poetike me poeten:Gerta Bandilli BECKA

Mallin ta dërgoj në letër

_________________________________

Kalëruar në trojkën e ëndrrës

kaloj stepën e paanë.

Është vjeshtë! Gjetja e tharë

zhurmon nën trokun e kalit.

Pafund letra e stepës së bardhë!

E ëmbël prekja e penës që puth tokën,

shkruan e nuk shkruaj

që mallin ta dërgoj në letër.

Kjo melankoli është kështu si është,

me dhimbje e pa dhimbje në zemër,

kërcen tok me trojkën në shpirt.

E lehtë pika e mallit të lotit

që vesh shëmbëllimin me mjegull

por që shpirtin dot s’ma lag.

Tregomi ëndrrat dhe pasionet

që bëjnë të të rrahë zemra.

Prita gjithë çastin, gjithë ditën

pa bërë gjë tjetër

trokun e kalit që rend stepës.

Jemi veç unë dhe ti në rreshtat

që shkroi pena e dashurisë.

rendim stepës me trokun e kalit,

përqafohemi në krahët e mallit

dhe presim zhurmimin e stepës…