E shtuna poetike me poeten:Anila KRUTI
Mos më vështro gjatë se bëhem vjeshtë e më ndjek pikëllimi i shirave.
————————————————————————
O varg!
mëngjes im.
Mbrëmje e praruar hëne.
Hyn e del kraharorit tim
Pikë-pikë e bëhesh dritë.
hieroglifi im, shpirt i gjallë ku digjem
endem e lirë në Itakën time.
O varg , o muzë !
Të kam mall
Velë që zgjon kuajt mbi det
faqet m’i bën prush.
Që fëmije kam jetuar me ty
Në xhepin e zemrës të kam pasur diell
që dhimbjet m’i bën poezi .
***
Thënies së vjetër të gjyshes: Mos kërce me këpucë të bardha se nuk është mirë!
Epo unë i thashë kështu :
Dua të kërcej …
Që kur të pashë ty
dua të kërcej me këpucë të bardha
veshur e gjitha me dritë,
me diellin në sy dhe zogjtë në krahë.
Dua të kërcas takat në rrugë.
Të më dëgjojnë të gjithë…
Rrugët t’i bëj re .
Pastaj të rrotullohem në lëndinë.
Të hyj në vjeshtë me ftonj në dorë
Dua të eci rrugëve më të bardha
Dua të çmendem
se të kam ty.
Dua të kërcej gjersa të thyej këmbët
pastaj të të përqafoj
e bashkë të na dalin krahët …