E shtuna poetike me poetin;Sinan VAKA 

HYMNI I HESHTJES

——————————–

Pyes veten, ndoshta me mendësi të huaj,

ndërsa e dobët shpresa thellë me përpëlitet

E dashur ! Vërtet dashuria kthehet shkak të vuaj,

kur asgjë nuk kthehet, kur asgjë nuk përsëritet.

Kam frikë se është e vërtetë çfarë dua të di

ende më tepër ul përuljen duke të kapur për dore,

sepse gjuha e heshtjes të vret gjithnjëlloj, gjithsesi

duke rrokur shpirtit format më foshnjore.

Ironia , si kupa e verës me dehje mi ngacmon hiret

duke fshehur te buza jote nënçmimin s’do mend,

kufijtë e jetës mi mbyll dëshirës që përvidhet

midis zambakëve të syve e djallëzisht më çmend.

Te paqja e heshtjes, kuptoj fytyrën e luftës

këngën dhe ankthin, dëlirin përtej agonisë,

vdekjen e burrit në çastin kur e drejta rreth gushës

më prangos e nënshtrimi më privon prej lirisë.

Mureve të shpirtit përplaset vetëm heshtja,

Unë i pabesë me nektarin e buzëve të tua,

jehonën e brengës tënde e dëgjoj këngë dhe vjersha

dhe kërkoj përjetshëm të jesh ajo që dua.

Nuk e di përse ndjehem “ vrasës “ i pafajësisë

kur mendoj i qorrtë, se jam thellësisht i lumtur,

ngrejë dënimin ndoshta kur mendoj se shpëtoj

në çastin e përhumbjes, por s’jam edhe i humbur.