Çaste poetike me poeten:Teuta BIÇAKU
Dallëndyshet e vjeshtës
————————————-
Vjeshta nis me kthimin tuaj
tek fole e dijes ethshëm malluar,
rënduar çantat me liri letre
shpirtin me etje, ankth, pritshmëri ngarkuar.
E bankat qeshin nga përkëdhelje doçkash,
e lapsi u dridhet lehtas e di.
Na pret një vit tjetër sfidash…
Suksese dallëndyshe në këtë kthim të ri!
& & & &
Pasarelë
———————————-
Sikur mendimet të zhvisheshin nga fjalët,
do të dukeshin si flutura pa krahë…
të shëndosha, thatime, kurrizdala, të gjata, të shkurtra,
të rrumbullta, me cepa, të paforma
të drejta, të gjymtuara,
me tipare të dukshme a të turbullta.
Po të zhvisheshin nga ajo cohë e ndritshme
që i mbulon e i zbukuron
do të merrnin tjetër kuptim ;
fjala “mirëkuptim” do të merrte formën e “kam të drejtë unë”,
fjala “kompromis”- “bëj çfarë them unë dhe ki durim”
fjala “, dashuri” do të kish kuptimin “instinkt”
dhe fjala “stres” – “një ditë pa WiFi”
Fjala “shoqëri” – “një grup njerëzish që thjesht bëjnë thashetheme”.
Fjala “familje” – “një grup njerëzish që nën një çati,
durojnë njeri-tjetrin me potere a heshtje.
Ehh, kur i veshim si ndrijnë, si ar.
I nxjerrim në pasarela me fustane ballosh të fryra,
paguajmë me qimet e kokës për t’i parë të veshura bukur,
edhe mendimet më të ndyra.
Ndërkohë që mendimet e thjeshta, ato të vërtetat
janë konstelacione yjesh nudo në qiell,
a bishta të ndritshëm kometash.
Mirë se vini në shekullin XXI
ku mendimet zbrazen e rrëkëllehen si kupat me alkool,
ku fjalët “shpirt” e “zemër”
pështyhen si çamçakëz i përdorur,
fjala “flori” nuk ka më shumë kuptim se teneqe e ndryshkur,
dhe fjala “yll” shkëlqimin e argjendtë
në kupë të qiellit ka zbërdhylur.
Fjala “i veshur” ka kuptimin e ca zheleve firmato,
që më shumë zbulojnë se mbulojnë,
fjala “demode” përkon me atë
që gjërat e thjeshta dashuron.
Fjalët e mbytura, ato që kurrë nuk u thanë,
janë mendimet që nuk i veshëm dot me ar.
E fjalët e dëlira shoqërohen me ngërdheshje bruto…
Mirë se vini në pasarelat e mendimit nudo!
Teuta Biçaku, gusht 2022.