Dashuri e vështirë

—————————————

Ti në kanapé tani dremit,

Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,

Abazhuri mbi qerpikët ndrit,

Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:

Jemi dashuruar edhe sharë,

Jemi ndarë hidhur në udhëtim,

Po drejt njëri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjurmon,

Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,

Unë, ndonëse pi dhe mogadin,

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Je për mua ëndërr çast e orë,

Teoremë e turbullt dhe dilemë…

Po të jem vërtet një Pitagorë,

Ti je më e vështira teoremë.