E premtja poetike me poetin:Hamit TAKA 
ÇFAR TE SHKRUAJ
————————————–
Motivet poetike, thonë, janë të rralla,
Në se besnik s’i mbetesh boshtit erotik.
Rreth tij sot vërtitet bota me andralla
Si lufta e Trojës rreth Helenës u vërtit;
Po kjo muza ime për motive nuk vuan,
Ndodh që shkretëtirën me lule e qëndis;
Se edhe Muhametin për hardhinë e mashtruan
I thanë: ferra është mëma e rakisë;
Mund të shkruaj vjeshtës për gjethen e tharë
Që bie si thonjtë e lyer të zonjushës,
Ndoshta e pret me shpresën ta marrë
Një miush i ngratë që endet mes fushës;
Mund të shkruaj për folenë e braktisur
Që ëndrrat i ka larguar prej zëmre,
Dhe rri vështroj si mërgimtar i ngrysur
Shtegtimin e patave me dhembje;
Mund të shkruaj vargje për heshtjen që mban
Mbyllur dëshirat dhe ndjenjat s’i shfaq
Dhe plepin e zhveshur që më rri kaq pranë
Para selvisë së ndrojtur i heshtur, hutaq;
Mund të shkruaj për ditën me ngrice akull,
Për borën si qefin i bardhë mbi varre
Që me vargje sado pak t’ia ngroh gjakun
Në kopshtin e zhveshur hënës kopshtare;
Dhe për gjërat më të thjeshta prozaike
Mund të thur vargje me ritëm e rimë
Dhe në se i mbyllur në një zemër hermetike
Nga kafazi i gjoksit këndoj si kanarinë;
/qendrapress.com/