E diela e 7 poezive dhe 7 poetëve ;Sahit F. OSMANI

LIRIA E ROBËRUAR

——————————————

Është femër e zhveshur me flokë të përdredhura

Petkat i janë çjerrur, grisur i janë nga gjarpërinjtë

Për t’iu përdridhur në trupin tërësisht të pambrojtur

Për t’ia zënë frymën para se ta gëlltisin.

Shtrat e ka tokën me kufij gjymtues deri në tmerr

Vetëm një fije e hollë e ndan, që të jetojë lirshēm

Nga ata që e çliruan dhe e pushtuan njëkohësisht

E si kanibalë qëndrojnë mbi trupin e saj zhveshur.

Me fjalë dhurojnë parajsën me duar skëterrën

Mbi dashurinë e gjakimit për liri i shkelin mendjet

Me bindjen se dëshirat janë plotësuar dhe s’ka të tjera

Për të mos rrezikuar kokat për diçka që s’kthehet!

Nuk lëvizin më mbi sigurinë e mbyllur çuditërisht

Iu kanë ngrirë marrëdhëniet me kufij në formë pikëpyetjesh

Gjersa heshtja të qëndrojë në kokat që s’bëzajnë

Trupi i lirisë i zhveshur do të jetë e gjarpri përbri saj.

/qendrapress.com/