E mërkura poetike me poeten:Naxhije DOÇI
LIBRI SHQIP
—————————
Në kohë të rënda të fëmijërisë sime,
gjithsesi edhe në ato të rinisë së parë
rrëzë Gardhinës Plakë të Therandës trime
e lexoja krejtësisht fshehtas
librin e shenjtëruar shqip
shkruar në gjuhë të dëlirë perëndie
thesar magjik i lashtësisë sime në shtresime,
e gjysma e dytë e shekullit njëzet ishte
ngrysur thellë në mjegullnajë robërie.
Kur të gjithë në shtëpi flinin, lexoja
me dritën elektrike të përkufizuar
që të mos më dallonin nga jashtë
hijet e patrajta,
puthadorët zemërgurë të paguar,
nga verbëria e vet turpëruar,
nata përgjonte e mashtruar.
Ishte mëkat i pafalshëm atëherë,
bjeshkë e purpurt guximi
të mbahej në shtëpi libri i mirëfilltë shqip
botim i flakëruar Shqipërie
e diasporë dashurie
se kohë mugu vazhdues ishte
në Kosovën me gjemba trishti robëruar
nga pushtuesi barbar e shfarosës serb,
me izolim sizifi ishte ndëshkimi
e refrene ngujimi.
Në bibliotekën familjare relikt e merrja
librin e ëndërruar shqip
sjellë nëpër kohë trishti sfidues
nga hapësira e përmallimit përballë
të trungut tim të ndarë
me dredhi e hanxhar.
Pishtar gjyshi zulmëmadh dhe i përkushtuar
nga babai fjalartë pasuruar.
Krenari me flakërimë hirësie ndieja
librin shqip kur e lexoja
më dukej se krejt bota bëhej imja
edhe përtej së mundshmes,
epokat bënin fole të dehur në zemër
për madhështinë e dheut tim me emër.
/www.qendrapress.com/