Çaste poetike me poeten;Tixhe Rexha-GËRQARI 

KUR IKËT JU

——————————————

Kur nga kjo botë ike moj Nënë,

me vete më more gjysmën time

me more hënën e natës

aromën e parfumit tënd

që te askush më s’e nuhas.

Më more edhe lezetin

kur koka me mbetej pas

edhe erë e pogaçes

që kurrë se bën më askush si ti,

e si atëherë më kurrë s’jam ngi

se era jote mungon aty!

E ti Babë kur ndërrove jetë,

më more aromën e shtëpisë

aromën e barit kur kositej me kosë,

të arës kur prashitej me a jam

pritjet e përcjelljet e autobusëve urban,

peshën e fjalëve plot urti

bardhësinë e plisit

për bajram e për vit të ri.

Më shumë se njëmijë fjalë, tëndin shikim,

fjalën që të thërras Babë, o Baba im!

More prindërit e mi, aq shumë ju desha

por ju mua sa ende nuk e di

se as në ëndërr më s’më keni hy.

Kur ikët të dytë sa çudi

më shkurtuat hapat për në shtëpi,

dëshirave ju mbyllët derën.

I strukët duke i paluar

në zemrën time si push

për ti ndezur e përflakur tërë jetën

në mallin që përvëlon si prush.

Kurrë në jetë se paskam ditur

se zemra qenka kaq e madhe.

Ma e madhe se dhoma juaj

po i zinte rrobat tuja

shtratin tuaj, bisedat tuja

gjumin, heshtjen, pritjet

përpëlitjet, këshillat, tregimet

kritikat e vuajtjet e jetës suaj.

Po e le derën hapur për t’më prit

dritaret të më shikoni plot mall

me kokën prapa duke ik

shikimin e juve ngulur si thikë.

Hapave po u thojka mos merrni dallgë

mësohu këtu e ke dhomën e tyre

këtu e ke derën e dritaren hapur

këtu kujtimet janë besnike

të përqafojnë fort si ju dikur

në zemrën tim të fortë gur.

Aty ju shoh duke u merakosur

për mua, vëllezërit e motrat

duke ikur netëve të errëta

në të shkretin mërgim

duke lënë zemrën në shtëpi

duke u kthyer prapë në tonin përqafim.

Ti moj Nënë u ktheve në arkivol…

Vonë u binda që ti ishe aty

edhepse vëllai xhamin të të shoh

ta kishte rregulluar që të çmallem me ty,

prapë s’mund të besoja, se me ke pas thënë

në duart tua kam dëshirë me vdesë

e pa lamtumirë në kurbet ndërrove jetë.

Atje të mbyllur sytë a thua tani i i ke

se marake shumë të mbetën për ne.

E ç’të them për ty Babë,

e madhja dashuri, u mbylle në vete,

pa Nënën si jetim prapë mbete

se kur mbetesh pa grua në pleqëri

është sikur të mbetesh jetim në fëmijëri.

e unë përpëlitem pse s’dita të bëhem një me ty.

Sonte desha akrepat e orës

shumë kohë pas me i kthye

Desha për besë të ngopem me ju

desha të jem edhe njëherë fëmijë,

Të luaj, të vrapoj, të ju përqafoj

por prapë se prapë veç kujtime mu ringjallën

thuajse ora është vetëm fotografi.

Ju ikët bashkë me akrepat e orës

duke më lënë mall e zbrazësi

e në zemrën time keni bërë shtëpi,

aty zgjoheni, gëzoheni, e jetoni

Edhe pse në amshim pushoni

atje më morët me vete shumëçka,

fëmijërinë dhe një pjesë timen

që s’më kthehen më kurrë! /www.qendrapress.com