E diela poetike me poeten; Arjana Fetahu GABA
EJA VËLLA
———————————-
Eja vëlla, një raki e cigare ta ndezim të dy,
Dhe fort tavolinës, i rashë me pëllëmbë,
Kjo s’është tavolinë avokati apo ministri,
Eshtë vëndi, ku hamë veten me dhëmbë.
Tek kjo tavolinë, kemi thënë gjithçka,
E vetmja faltore, ku hallet i qajmë,
Eja ta djegim pak hidhërim,
Se unë e ti, njëri tjetrit i ngjajmë.
Eja, pije dhe ta bëjmë gëzuar,
Të kam si vëlla, ndaj dhe të ftoj,
E di që dhe ti, je si unë buzëvarur,
E di që hallet i kemi njësoj.
Merrim dhe një kafe, ta bëjmë tamam,
E di që s’te pihet, menjëherë do thuash,
Mos rrëmo në kuletën bosh vëlla,
Se kurrë s’të lë ta paguash.
Unë të ftova, mos u zë ngushtë,
Ti e di, s’jam më i pasur se ti,
Po sot këto lekët e fundit,
Si mbajnë dot xhepat e mi.
Gëzuar për ty dhe për mua
Se bota është, llum kafeje që nxin,
Kur s’plasëm që na iku rinia mjeruar,
Tani të djallosça pleqërinë.
/qendrapress,com/