Skandal në Speciale: Njeriu i shërbimit sekret serb bashkëpunoi me Prokurorinë dhe çoi dëshmitar të rrejshëm kundër Thaçit e Veselit 

Një dëshmitar ka dhënë deklarata të rrejshme në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke pretenduar se ata ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve për të cilat janë gjykuar dhe dënuar krerët e veteranëve të luftës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më pas, ky person, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, ka tërhequr deklaratat e tij, duke pohuar se ishte nxitur nga një person tjetër që të gënjente.

Dëshmitari që kishte dhënë deklarata të rrejshme, si dhe personi që e kishte nxitur për t’i dhënë ato deklarata, del se kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb. https://gjc.gjirafa.com/Home/Index?type=3&gjid=51365802&v=2.1&guid=d0f2a2afa94f4315a9f5a1e393355f9bd73acbdd179d4686a6e5c72bd7959b16

Ky është zbulimi shokues që ka bërë ekipi mbrojtës i Kadri Veselit, në një parashtresë të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Personi që kishte nxitur këtë dëshmitar të trillonte, të cilin mbrojtja e quan “informator”, sipas shkresës, kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorin e Specializuar.

“Në tetor 2022, një dëshmitar u paraqit për të pretenduar se z. Veseli dhe z. Thaçi ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që ishin në qendër të rastit Gucati dhe Haradinaj pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

“(Redaktuar) këtë vit, dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm që kishte gënjyer, por që edhe ishte nxitur të gënjente nga një informator – i cili (i) kishte qenë në kontakt të rregullt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar; (ii) duket se ishte pika e tyre e kontaktit për një numër dëshmitarësh në gjykim, dhe (iii) pohon se ka pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Prokurorin e Specializuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga avokatit britanik, Ben Emmerson.

Në seancën e 15-të statusore, të mbajtur më 4 nëntor 2022, mbrojtja thotë se ka adresuar zbulimin e transkriptit të intervistës së (pjesë e redaktuar në shkresë) që shpërfaq se ai rrejshëm ka implikuar Thaçin dhe Veselin në rastin Gucati, sipas instruksioneve të (pjesë e redaktuar), dhe që të dy këta persona kanë lidhje me Shërbimin Sekret Serb, ndërsa që (pjesë e redaktuar) po ashtu del se ka vepruar si ndërmjetësues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=18&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE “(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017”.

“Sipas vlerësimit të mbrojtjes, (redaktuar) ka ngritur pretendime dhe ka dhënë komente për më shumë se 60 individë gjatë bisedave të tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mënyrë rutinore, ai ka ofruar ose pretenduar ta vë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kontakt me persona relevantë për hetimet”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.

Mbrojtja e Veselit alarmon se ky skandal i zbuluar – ku një ndërmjetësues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i lidhur me Shërbimin Sekret Serb, ka udhëzuar një dëshmitar që të gënjejë, në deklaratat e të cilit Prokuroria e Specializuar është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve, është katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë kundër krerëve të UÇK-së.

“Akuzat e bëra nga (redaktuar) kundër (redaktuar) në deklaratën e tij të dytë janë jashtëzakonisht serioze. Në zemër të rastit të Prokurorisë në dukje është një ndërmjetësues i besueshëm, i cili ka udhëzuar një dëshmitar të dalë me gënjeshtra, në të cilat Prokuroria është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve. Akuza të tilla janë potencialisht katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë, duke marrë parasysh shtrirjen e kontakteve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me (redaktuar). Çdo prokuror etik do të kishte kuptuar menjëherë pas marrjes së atij kontakti të dytë me (redaktuar) cilat mund të ishin implikimet për rastin e tij dhe do të kishte ndërmarrë menjëherë hapa për të hetuar shkallën e kontaminimit”, thuhet në shkresë./lajmi.net