Kuvendi mblidhet sot në seancë e jashtëzakonshme 
Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke filluar nga ora 11:00 mban seancë të jashtëzakonshme rreth vendimit për masat emergjente të energjisë.Ndërkaq, në ora 12:00 është planifikuar të vazhdohet me seancë plenare, për të shqyrtuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara plenare.Ndërsa, një tjetër mbledhje elektronike ka mbajtur Qeveria e Kosovës dje, që shënoi takimin e 111-të për këtë mandat. Ekzekutivi në këtë takim nga distanca ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së ‘’Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat’’.Ky program siç thuhet është vazhdimësi e programit të mëparshëm “Evropa për qytetarët” e i cili synon mbështetjen dhe zhvillimin e shoqërisë së hapur, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse të bazuara në të drejta demokratike dhe në shtetin e së drejtës.Po ashtu, një nismë tjetër mori miratimin e kabinetit, ajo për lidhjen e marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2023.Qeveria thotë se Bashkimi Evropian është zotuar se do të ndihmojë vendet e rajonit me një pako për energjinë në funksion të tejkalimit të krizës aktuale energjetike. Në këtë kuadër për Kosovën janë zotuar 75 milionë euro për përkrahje të drejtpërdrejtë buxhetore në kuadër të programit vjetor IPA 2023.