A do të ndaj Qeveria fond për kompensimin e dëmeve pas vërshimeve? Flet ministri Elbert Krasniqi
Situata në komunat e Kosovës është rënduar pas të reshurave të mëdha të shiut. Shumë zona janë bllokuar. Komunat më të prekura janë ajo e Skenderajt, Istogut, Mitrovicës, Klinës, Podujevës e më pak në zona të tjera. Për këtë ka folur ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai për Front Online tha se janë në mbështetje të qytetarëve.Krasniqi ka treguar për vizitat që bashkë më një pjesë të ministrave i kanë bërë zonave të prekura.“Në masë të madhe, të gjithë ministrat, zv/ministra, këshilltarët edhe strukturat tjera, janë në mbështetje të qytetarëve janë në mbështetje të autoriteteve lokale. Unë personalisht kam qenë më shumë në komunën e Mitrovicës së Jugut, dhe mbrëmë me ministrin Sveçla dhe ministren Artane në pjesën veriore të vendit, ku kemi parë se si policia po e zhbllokon rrugën nacionale që të qon në drejtim të kufirit edhe e bënë të mundshme lëvizjen e lirë për qytetarët”.Ministri Krasniqi ka treguar se edhe gjatë ditës së sotme është duke qëndruar në zonat e përmbytura nga reshjet e shiut.“Sot në mëngjes me kryeministrin Kurti, me ministrin Meha ishim në Komunën e Istogut vizituam fshatin Drejë, dhe vizituam QKMF-në të Istogut ku janë të strehuar disa nga familjet e evakuuara mbrëmë nga FSK-ja. Pastaj ishim me ministrin Mehaj edhe në Klinë, dhe tani jemi rrugës për në Komunën e Skenderajt”, tha ai për Front Online.Komunat e prekura nga vërshimet kanë mbështetje të plotë nga pushteti.“Ne jemi në mbështetje të komunave me krejt kapacitetet që janë institucion prej shtetit. Siç duket tani situata është më mirë. Ne si Qeveri jemi afër qytetarëve dhe komunave, por punën më të madhe e bënë policia, FSK-ja në shumicën e komunave”, u shpreh Krasniqi.Se a do të ndahen fond për kompensimin e dëmeve për shkak të vërshimeve, ministri Krasniqi tha se ka procedura për këtë proces.
Ai tutje thotë se duhet të shohin se si ta menaxhon situatën më mirë.“Në këtë situatë, flasim për situata emergjente disa edhe prej komunave kanë shpallë gjendje emergjente ndërsa për dëmet, rikuperimin e dëmeve, proceseve tjera besoj që tani nuk është momenti që të flasim. Këto çështje janë të rregulluara me procedura specifike të cilat duhet të ndjekim pastaj, mirëpo në këtë moment është mirë që të jemi afër qytetarëve, shumë mirë që deri në këtë moment nuk kemi asnjë qytetarë që ka humbur jetën në vërshime. Në këtë moment kemi nevojë që të shohim se si të menaxhohet mirë me situatën”, deklaroi ministri Krasniqi për Front Online.Disa komuna, përfshirë Mitrovicën, Skenderajn dhe Klinën kanë vendosur që të premten të mos zhvillohet mësimi në shkollat fillore dhe të mesme për shkak të gjendjes së rënduar, të krijuar si pasojë e vërshimeve.Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paraparë që reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar.