Deklarata e presidentit Millanoviq për Kosovën, një reagim i ashpër vjen edhe nga partia në pushtet e Kroacisë
Pas deklaratës së presidentit kroat, Zoran Millanoviq, në lidhje me Kosovën, një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga partia në pushtet në Kroaci, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo parti ka kritikuar ashpër presidentin Millanoviq për deklaratën e tij se “Kosova u mor nga Serbia”.
Ai gjithashtu kishte thënë se Krimea nuk do të jetë më Ukrainë, andaj sipas tij, nuk duhet t’i dërgohen armë, sepse siç ka vlerësuar ai, kjo vetëm do të zgjaste luftën.
Në këtë drejtim, HDZ-ja thotë se nuk është problem për Millanoviçin të turpërohet dhe të debatojë me aleatët e Kroacisë, kur ai duhet të mbrojë presidentin rus Vladimir Putin.
“… Kur duhet të mbrojë Putinin, Millanoviç nuk e ka problem të turpërohet dhe të debatojë me aleatët e saj. Dhe të vegjlit ende e ndjekin atë pa diskutim…”, është shkruar në faqen e HDZ-së në Facebook.
Partia në fjalë ka komentuar edhe rreth disave në Kroaci që nuk shohin “asgjë të diskutueshme” në deklaratat e presidentit kroat.
“Por mos u shqetësoni, të njëjtit do të thonë nesër se janë miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të popullit vëlla shqiptar”.
Ndryshe, një reagim gjatë ditës ndaj deklaratës së presidentit kroat ka ardhur edhe nga deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj.
Ajo ia ka shpjeguar Millanoviqit se procesi i pavarësisë së Kosovës ishte i njëjtë sikurse ai i Kroacisë.
“… Republika e Kosovës u krijua në procesin e shpërbërjes së RSFJ-së, e njëjtë me Republikën e Kroacisë. Është e rëndësishme të theksohet se sipas Kushtetutës së RSFJ-së, Krahina Socialiste Autonome e Kosovës ishte jo vetëm krahinë në kuadër të RV të Serbisë, por edhe element konstituiv i federatës…”, ka shkruar ndër tjerash ajo në Facebook.
Presidenti kroat Zoran Millanoviq, njihet me deklarata kontroverse edhe për tema që bëjnë bujë edhe jashtë kufijve të Kroacisë.
Millanoviq shpesh ka dhënë deklarata të tilla edhe për rolin e Kroacisë në luftën në Ukrainë. /Telegrafi/