Memli Krasniqi: Presim nga Qeveria që të marrë obligimet që i takojnë, për të zbatuar vullnetin qytetar në veri

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok, në zgjedhjet lokale për katër komunat e pjesës veriore të vendit.Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar dy kandidatët dhe ka falëndëruar qytetarët për votat e tyre.“I uroj Ilirin dhe Izmirin për fitoret, por edhe Albulenën e Taulantin për angazhimin dhe punën e palodhshme në komunat ku garuan. Ndërkaq, falënderimi më i madh u takon të gjithë atyre qytetarëve të cilët edhe sot i besuan PDK-së, kandidatëve dhe ofertës tone”, tha ai.Krasniqi theksoi se përtej kësaj, e rëndësishme është që procesi ishte i rregullt dhe i qetë.“ Megjithatë, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje”.Ai shtoi se pret nga Qeveria që të marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë – për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut.“PDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur për të ofruar qeverisje gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ky ka qenë zotimi ynë – ky është edhe misioni ynë. Bashkë për Kosovën”, shkroi Krasniqi.