Rrëzohen për herë të dytë në Hagë kërkesat e 20 personave në rastin kundër krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale ka njoftuar zyrtarisht se njëzet persona nuk kanë arritur të bindin gjykatësit e Hagës, as në shkallën e dytë, se janë viktima dhe të iu mundësohet pjesëmarrja në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Megjithëse ishin refuzuar edhe në shkallën e parë ata kanë parashtruar sërish kërkesë, kësaj radhe në Dhomën e Apelit, por përsëri janë refuzuar.

Kërkesat e këtyre 20 personave në instancën e dytë të Gjykatës Speciale janë dorëzuar nga dy avokatë qe ata i kishin angazhuar, ka thënë të premten në Hagë, një zëdhënëse e Gjykatës, gjatë një konference për gazetarë, permes internetit.“Të mërkurën më 26 prill 2023 paneli i gjykatës së Apelit rrëzoi ankesat e 20 personave të cilët ishin lajmëruar për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima. Këta persona kishin apeluar vendimin por trupit gjykues i apelit i refuzoi kërkesat e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore ‘Thaçi dhe të tjerë’ “, ka thënë të premten një zëdhënëse e Gjykatës së Hagës, gjatë një konference permes internetit.Procesi gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së ka filluar më 3 prill. Kanë dëshmuar tre persona, të cilëve publiku kosovar nuk ka mundur t’ua shohë fytyrat as t’ua dëgjojë zërin sepse seancat janë mbajtur prapa dyerve të mbyllura ose më zë e pamje të mbuluar.Gjykata në Hagë është kritikuar se nuk është transparente jo vetëm karshi qytetarëve por as ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës.Megjithëse Gjykata Speciale është themeluar nga Parlamenti i Kosovës ajo i raporton rregullisht edhe OKB-së në New York përmes raportit për UNMIK-un, që dorëzohet atje sipas Rezolutës 1244, veç institucionet kosovare nuk i bën hesap, nuk i ka raportuar asnjëherë shtetit të Kosovës