Harroje atë bindjen se burri nuk qanë, se e qara është shenjë dobësie, përkundrazi është shenjë e inteligjencës emocionale
Shkendije Berisha Pacolli
____
Meshkujt e guximshëm dhe me karakter të fortë janë gjithmonë të frikshëm për të tjerët. Këtë e ka vërtetuar ndër vite edhe historia jonë etno-psikologjike shqiptare që në gjirin e saj ka rritur dhe edukuar meshkuj me shpirt luftarak, liderë të fortë në nderë dhe atdhedashuri. Meshkuj që u edukuan me burrëri që mos të tregojnë kurrë dobësi por vetëm krenari, duke harruar se në radhë të parë prapë secili është njëri dhe pa përjashtim edhe me dobësi.
Në kulturën tonë të civilizuar meshkujt ende ruajnë origjinalitetin dhe tiparet e veçanta të një burri të fortë dhe shumë rrallë flasin për gjendjen shpirtërore, problemet dhe ndjenjat e tyre. Ndoshta këtu qëndron edhe fakti se meshkujt në krahasim me femrat diagnostikohen shumë më rrallë me depresion, por që vuajnë shumë më shpesh sesa femrat nga varësitë të ndryshme. Po ashtu sipas studimeve meshkujt kryejnë vetëvrasje rreth tre herë më shumë se gjinia femërore, vetëvrasje që në shumicën e rasteve rrjedhin si pasojë e depresionit të pazbuluar. Krizat, ankthi dhe depresioni tek meshkujt shpesh kalojnë pa u zbuluar sepse ata qajnë dhe vuajnë fshehurazi pa u vënë re!
Duke pas parasysh ende virtytet morale tradicionale thellë në psikologjinë e meshkujve shqiptar ekziston bindja se kodi i të qenit burrë i vërtet ekziston duke mos u treguar i dobët. Janë besime irracionale dogmatike që krijojnë stres e që përmbajnë fjalën burrëri, fjalë e cila është integruar thellë në nderdije që në fëmijëri. Nuk është e dobishme dhe nuk duhet të tregohesh gjithmonë i pamposhtur duke pretenduar se nuk ke probleme. Ti mashkulli shqiptar si personifikimi i burrërisë, me edukate tradicionale ke peshë të rëndë mbi supet e tua, ti jo vetëm që duhet të jesh shtylla e shtëpisë, idoli i ndershmërisë ,duhet të jesh burrë i besës, i mirë në familje, në punë, të jesh bir ideal, bashkëshort i përsosur, baba i mirë, vëlla i mirë ,ndoshta të kesh simbole statusi, të sigurosh të ardhura për pushime të shkëlqyera por në këtë kohë moderne edhe të dish të luash golf nuk do të ishte keq.
Inputi i një Hipnoze kolektive që po përçohet fshehurazi jo vetëm për të infektuar figurën e gjinisë mashkullore por edhe shpirtin e popullit për të arritur një psikologji të turmës (duke mos përjashtuar këtu as mediumet televizive) është po i njëjti sistem manipulues që nuk mund të përfitojë prej njerëzve të shëndoshë e as prej të vdekurve. Objekti synues gjendet në mes të dyjave, andaj mos lejo që të tjerët të përfitojnë nga mos kujdesi yt për shëndetin tënd mendor dhe emocionet e tua të shtypura të cilat dikur përfundimisht do kalojnë në sëmundje organike.
Edhe pse ndoshta momentalisht ndodhesh ne një krizë dhe ke humbur busullën tënde të brendshme emocionale merr përgjegjësinë se nuk është vonë kurrë të fillosh të kujdesesh për psikologjinë dhe mirëqenien tënde njerëzore. Lëre burrërinë mënjanë, kërko ndihmë, bisedo me familjen, kontakto mjekun familjar, shprehu si ndihesh dhe mos lejo që çrregullimet mentale të kalojnë limitet e menaxhimit duke u futur ne rrethin vicioz depresiv, harroje atë bindjen se burri nuk qanë, se e qara është shenjë dobësie, përkundrazi është shenjë e inteligjencës emocionale.
Dhe për fund ndalo thjesht vetëm të punosh, fillo të reflektosh se edhe si burrë nuk je këtu të mbijetosh por thjeshtë të jetosh.
* Shkendije Berisha Pacolli është psikologe. Jeton në Wirges/Marrë nga”Drini”/