Avokati i Thaçit e fiton një betejë në Speciale përballë Prokurorisë
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë refuzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), për të paralajmëruar avokatin Dastid Pallaska lidhur me disa deklarata publike, të cilat ZPS i kishte konsideruar të rreme dhe mashtruese.Fillimisht, në vendim është paraqitur historiku procedural, ku theksohet se më 10 maj 2023, ZPS kërkoi nga Paneli që të paralajmërojë bashkë-avokatin e Hashim Thaçit, Dastid Pallaska për deklaratat publike të bëra në emisionin e RTK Prime më 13 prill 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.Tutje, më 18 maj, me kërkesë gojore të mbrojtjes së Thaçit, Paneli ka dhënë një zgjatje të kufirit të fjalëve nga 6 mijë në 7 mijë fjalë, për t’iu përgjigjur kërkesës, e që më 22 maj, mbrojtja e Thaçit ka dhënë përgjigje, ndaj të cilës ZPS më 30 maj ka dhënë kundër-përgjigje. Më tej, janë elaboruar shkurtimit parashtresat e palëve. ZPS-ja ka pohuar se deklaratat publike të bëra nga Pallaska në emisionin RTK Prime më 13 prill 2023, bien ndesh me nenin 13 (a) të Kodit të Sjelljes Profesionale për avokatët dhe prokurorët para DhSK-së dhe paragrafët 15-20 të Urdhrit të Panelit për Ecurinë e Procedurave, të cilat ndalojnë deklaratat që janë të rreme, me vetëdije mashtruese ose që komentojnë kërkesat e drejtpërdrejta para Panelit.Prandaj, ZPS ka kërkuar nga Paneli që t’ia kujtojë avokatit Pallaska që t’i përmbahet kushteve të nenit 13 (a) të Kodit të Mirësjelljes dhe udhëzimeve në Urdhrin e Panelit për Ecurinë e Procedurave dhe të përmbahet nga bërja e deklaratave të ardhshme që cenojnë ato, pasi deklarata të tilla sipas ZPS-së kanë ndikim negativ në integritetin e procedurës.ZPS më tej kërkon që Pallaska të paralajmërohet se çdo shkelje e ardhshme e Kodit të Sjelljes ose Urdhrit për Ecurinë e Procedurave, mund të rezultojë në sanksione.Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit është përgjigjur se themeli i kërkesës qëndron në keqinterpretimet e ZPS-së për komentet e avokatit Pallaska dhe se i njëjti nuk duhet të pësojë dëmtim të reputacionit publik nga manipulimi i ZPS-së me komentet e tij.Por, në kundër-përgjigjen e ZPS-së thuhet se asnjë nga arsyet e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit nuk e ndryshon faktin se Pallaska ka bërë deklarata publike që sipas çdo standardi objektiv, ishin me vetëdije të rreme dhe/ose mashtruese dhe se dhënia e një paralajmërimi është një masë e përshtatshme për ta marrë Paneli.
Po ashtu, vendimi i DhSK-së përmban legjislacionin në fuqi dhe se në bazë të nenit 40 (2), Paneli thuhet se do të sigurojë që gjykimi të jetë i drejtë dhe i shpejtë dhe që procedurat të zhvillohen në përputhje me Rregullat e Procedurës dhe Provave, me respekt të plotë të të drejtave të të akuzuarit dhe respektimin e duhur për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve.
Si dhe, thuhet se në bazë të nenit 40 (2) dhe rregullit 116 (3), Paneli mund të japë udhëzime për zhvillimin e procedurave sipas nevojës për të siguruar një gjykim të drejtë dhe të shpejtë, e që në bazë të rregullës 63, Paneli mund t’i paralajmërojë avokatin ose prokurorin për sjellje që është ofenduese, abuzive ose në ndonjë mënyrë tjetër që pengon zhvillimin e duhur të procedurës, ose nëse avokati ose prokurori i tillë dështon të përmbushë standardin e etikës profesionale në kryerjen e detyrave të tij/saj.Kurse, neni 13 (a) i Kodit të Sjelljes parashikon që avokatët dhe prokurorët nuk duhet të bëjnë me vetëdije deklarata në mediat sociale, për shtypin ose publikun, të cilat janë të rreme ose shpifëse, ose të zbulojnë informacione konfidenciale, duke përfshirë për personat e përfshirë në procedurë. Në vendimin e Speciales, tutje thuhet se mbrojtja e Thaçit është përgjigjur se pretendimi i ZPS-së se Pallaska “akuzon publikisht Prokurorinë për propagandim të ‘të pavërtetave’, me qëllim që ta etiketojë Kosovën shtet kriminal” keqinterpreton komentet e tij dhe se komentet e Pallaskës janë thjesht përsëritje e qëndrimeve të mirëpërcaktuara të mbrojtjes për çështjet që janë pjesë e mbrojtjes së Thaçit.Po ashtu, sipas mbrojtjes Pallaska nuk i komentoi proceset gjyqësore të drejtpërdrejta para Panelit dhe se ZPS nuk ka arsyetuar kërkesën e saj për të kufizuar të drejtat themelore të Thaçit dhe avokatëve të tij.Kurse sipas ZPS-së, një avokat i caktuar me detyrime, ndër të tjera, sinqeritet dhe zell, nuk mund të mbështetet në injorancën për t’iu shmangur përgjegjësisë për deklaratat e tij publike dhe se artikulimi i pozicioneve të mbrojtjes në publik nuk e liron avokatin nga respektimi i nenit 13 (a) të Kodit të Sjelljes dhe Urdhrit për Ecurinë e Procedurës.Sipas panelit, roli i Pallaskas si bashkë-avokat i Thaçit nuk rezulton në shtypjen e së drejtës së tij për lirinë e fjalës, të cilën ai vazhdon ta gëzojë, por se përfshirja e tij si avokat në këto procese, megjithatë, autorizon vendosjen e kufizimeve mbi këtë të drejtë për aq sa ato janë të nevojshme dhe proporcionale për të garantuar mbrojtjen e interesave të tjera legjitime publike dhe për aq sa janë në përputhje me standardet ligjore përkatëse të zbatueshme për këtë çështje.Paneli thekson se puna e DhSK-së është çështje e interesit publik në Kosovë duke konsideruar se avokatët kanë një rol të rëndësishëm në administrimin e drejtësisë si ndërmjetës ndërmjet publikut dhe gjykatave.Sipas Panelit, ata që janë emëruar si avokatë para kësaj gjykate kanë një përgjegjësi të veçantë për të siguruar që procesi gjyqësor të zhvillohet ekskluzivisht para Panelit përkatës dhe që proceset gjyqësore të mos zhvillohen përmes mediave.Më tej, thuhet se atyre u kërkohet që të mos bëjnë me vetëdije deklarata në mediat sociale, për shtypin ose publikun, të cilat janë të rreme ose shpifëse, ose të zbulojnë informacione konfidenciale, përfshirë për personat e përfshirë në procedim.Për këtë arsye, thuhet se Paneli është i mendimit se komentet e Pallaskas mbi juridiksionin e DhSK-së dhe për fushëveprimin e rastit të ZPS-së, edhe pse shpesh të painformuara dhe të pasakta, përbëjnë opinione personale që adresojnë çështje të zgjedhura që kanë dalë para DhSK-së në të kaluarën.Në mënyrë të ngjashme, thuhet se deklaratat e avokati Pallaska për disa kategori të provave, për masat mbrojtëse dhe për paraburgimin e vazhdueshëm u bënë në mënyrë abstrakte dhe nuk ishin mjaft specifike për t’u kualifikuar si një model i komenteve për kontestin e drejtpërdrejtë para Panelit.“Prandaj, Paneli konstaton se deklaratat e RTK-së: (i) nuk përbënin një përpjekje për të mashtruar publikun me vetëdije ose për të ndikuar në vendimet e Panelit dhe (ii) nuk ka zbuluar informacion konfidencial”, thuhet në vendim.
Rrjedhimisht, në këtë vendim Paneli ka konstatuar se ZPS-ja ka dështuar të demonstrojë se paralajmërimi i Pallaskas është i nevojshëm në rrethanat dhe se do të përbënte një ndërhyrje proporcionale në të drejtën e avokatit Pallaska për fjalë të lirë.Për këto arsye, Paneli ka refuzuar kërkesën e ZSP-së që Pallaska të paralajmërohet.Por që në vendim. po ashtu flitet konkretisht për deklaratën e avokatit Pallaska se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është në gjykim në këtë rast dhe se qëllimi i ZPS-së është ta shpallë Kosovën shtet kriminal.Lidhur me këtë, Paneli ka theksuar se ZPS-ja ka deklaruar se “UÇK nuk është në gjyq. Lufta çlirimtare e UÇK-së nuk është në gjyq” dhe se po ashtu Paneli ka deklaruar se “[Paneli] dhe palët kanë të bëjnë vetëm me ngjarjet dhe rrethanat që janë relevante për këta të akuzuar” dhe se asnjë pjesë e aktakuzës nuk sugjeron në mënyrë të arsyeshme se UÇK-ja ose Kosova në tërësi janë në gjykim.Prandaj, Paneli ka udhëzuar avokatin kryesor të Thaçit që t’ia sjellë në vëmendje avokatit Pallaska dhe t’i theksojë e ritheksojë se çështjet në fjalë në këtë rast duhet të zgjidhen nga avokati i të akuzuarit dhe ZPS-ja ekskluzivisht para Panelit dhe jo në media.“Paneli do të konsiderojë çdo deklaratë të mëtejshme publike të avokatit që sugjeron se UÇK-ja është në gjykim në këtë rast, si të jetë bërë me vetëdije në kundërshtim me deklaratat gjyqësore për të kundërtën’’, thuhet tutje në vendim. Paneli thekson më tej se bie në përgjegjësitë e secilit avokat kryesor që t’i kujtojë bashkë-avokatit dhe anëtarëve të tjerë të ekipit për detyrimet e tyre sipas Kodit të Sjelljes dhe Urdhrit për Ecurinë e Procedurës dhe të lëshojë paralajmërime aty ku është e përshtatshme pa ndërhyrje gjyqësore. Vendimin mbi kërkesën e Prokurorisë, për kujdes ndaj avokatit Pallaska, mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill. Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë.Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.