Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sabit RRUSTEMI

BALADË PËR NJË URTËSI TË VJETËR

( Mbështetur në urtinë popullore: MOS HYN KU S’DILET SE DEL TEK S’HYHET )

————————————————

Hyre ku s’dilet e dole tek s’hyhet

ku të të gjej tash he burrë

Ajo udhë e paudhë

as kokë as këmbë s’ka

Vetëm në kujtesën e popullit rron

Mos e ngacmove veten

për t’u bërë një urtësi e re

Tash ku të të kërkoj

në cilën shtëpi

a në cilën fytyrë Janusi

Fjalët e urta nxirren rrallë

e nuk shkruhen në ballë

Leximit në sy a t’i besoj më

T’i më le vetëm e hero nuk u bëre

së paku për një këngë

na i hëngrën veshët rivalët e trilltë

Tregomë ku i le eshtrat

sa për një grusht dhe

e një përkujtesë të vjetër

Mos hyn ku s’dilet se del tek s’hyhet

fjala e urtë nuk thyhet

____________

( Çmimi i dytë, “Flaka e Janarit”, 2006…. tash pjesë e librit të botuar para pak kohësh, PUHIZË MËNGJESORE, 2023 )

/www.qendrapress.com/