E mërkura poetike me poeten;-Mimoza BICI
Monolog errësire
I dashur
Ç’mund të bësh në një natë pa hënë
rrugës
ku vetëm shpirti e din se ku….
Një trup që ecën pa hije
Aty ku flenë kënga e zogjve
gjetheve të fjetura
a syve të ndonjë grabitqari dembelosur
kërmave
Më thuaj
si mundesh të ecësh?
I dashur,
mos më trego përralla
jam velur aq shumë
Nuk gjeti askush këpucën time
as pasqyra nuk më tha je më e bukura në botë
as llogari bankare nuk pash në ndonjë bankë
e jeta më ikën
duke menduar lumturinë e të tjerëve
se kjo ish dhe lumturia ime.
Por jo,
kjo ish veç frika të mos i humbja
e mbetesha vetëm…
Tani dua të shoh veten
lumturinë si qenie
si trup
Tani jam mes errësirës
shumë vonë të përballoj rrugë të gjatë
Më thuaj çfarë do të bëje ti ?
për të më gjetur mua aty ?
– Veçse do prisja agimin zemër
Nuk jam perëndi të bëj çudira
Do ndihesha me fat
të isha udhës tënde për të gjetur
Edhe mos të gjeja
përsëri me fat do të isha
Do prisja mëngjeset , rrezen e diellit për ty
Po ti nuk je e vetmja krijesë në këtë botë
Nëse dikush do më tundojë
do jepem i têri
nuk mundem
të vdes vetmuar pritjeve të akullta
Dhe ti gjithashtu zemër..
Pritjet
janë “mikeshat” e errësirës ku zgjaten e zgjaten
Edhe nëse do mundesh të shohësh mëngjesin një ditë
Ke humbur shumë lëkurës tënde
Rrezja as ngroh as përkëdhel
dhe unë gjithashtu
sepse dua lirinë time zemër
lirinë e fituar duke të kërkuar ty
e s’mundem ta burgos më
Zjarri im s’u shua kurrë
të dua kaq shumë
Por mos më lodh errësirës tënde
thjesht kapmë duart
ec me mua
zhurmave të jetës ka jetë
dhe pse të lënduar.
Në nuk të mjaftojnë duart e mia
verbohu dritës
është më bukur
sa mes një errësire gllabëruar
/www.qendrapress.com/