Katër persona të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni
Katër persona kanë vdekur si pasojë e një stuhie që i ka goditur disa vende të Ballkanit në pasditen e së mërkurës.
Dy persona kanë vdekur në Zagreb të Kroacisë, një në Bled të Sllovenisë dhe një në Bërçko të Bosnje-Hercegovinës.
Stuhia e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme i ka shkulur pemët, dhe e ka vështirësuar qarkullimin e makinave. Stuhia i ka përfshirë edhe qytetet serbe, Novi Sad dhe Beograd, por atje është raportuar vetëm për dëme materiale.
Në Bosnje është raportuar se 20 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa në Zagreb është raportuar për tetë persona të plagosur.
Në zonën e Samaçit, në veri të Bosnje – Hercegovinës, Shtabi i Situatave Emergjente, e ka shpallur gjendjen e katastrofës natyrore, pasi era ka shkaktuar dëme të mëdha, ka raportuar Radiotelevizioni i Republikës Sërpska.
Në të njëjtën kohë, Aeroporti në Banja Llukë është mbyllur për qarkullim, pasi stuhia e ka dëmtuar çatinë e objektit.
Lajmi për stuhinë vjen teksa bota po përballet me temperatura ekstreme në ditët e fundit.
Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.
Me temperatura të larta është përballur edhe rajoni i Ballkanit.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta për t’iu shmangur komplikimeve të mundshme shëndetësore.
Agjencia evropiane e Statistikave, EUROSTAT, ka vlerësuar se mbi 61.000 persona kanë vdekur në Evropë gjatë valës së nxehtësisë vitin e kaluar.
Këto kushte klimatike po konsiderohen vetëm një prej shembujve se si po rrezikohet bota nga ngrohja globale./REL