Monitoruesit e Kuvendit: Legjislativi nuk ishte produktiv
Përkundër ekzistimit të një shumice të fortë parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk ishte mjaft produktiv gjatë sesionit pranveror. Kështu thonë monitorues të Kuvendit, sipas të cilëve, Qeveria dhe mazhoranca nuk punuan mjaftueshëm në miratimin e ligjeve. Monitoruesit thonë se e shohin me shqetësim dështimin e shumë seancave. Mungesa e kuorumit ishte mjaft e shpeshtë dhe pengesë për trajtimin e shumë pikave në thuajse shumicën e seancave plenare, vlerësojnë monitorues të punës së legjislativit. Sipas tyre, kjo është një praktikë e dëmshme dhe se sigurimi i kuorumit është përgjegjësi e shumicës parlamentare. Duke folur për Radio Kosovën Mexhide Demolli – Nimani, nga Lëvizja Fol, thotë se nuk kanë pritur më shumë nga legjislativi.Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, po ashtu vlerëson se mungesa e kuorumit pengoi efikasitetin e legjislativit. Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se bazuar në monitorimet e tyre, rezulton se Kuvendi ka pasur performancë të dobët. Seanca e fundit për sesionin pranveror përfundoi pa filluar fare për mungesë kuorumi, e ku pritej të shqyrtoheshin 24 pika të rendit të ditës, mes tyre shumë marrëveshje ndërkombëtare. Kuvendi punimet i rifillon në muajin shtator, kur nis sesioni dimëror.