Këshilltarja e Kurtit jep dorëheqje, denoncon keqpërdorimet në fondin rreth 500 mijë €
Elizabeth Gowing ka vendosur një standard të ri në Kosovë.Këshilltarja britanike e Albin Kurtit ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e saj në kabinetin e kryeministrit për shkak të keqpërdorimeve të dyshuara me një fond rreth 500 mijë euro. Këshilltarja për komunitete e kryeministrit Kurti ka thënë se nuk është pajtuar me një vendim të Komisionit Vlerësues të Zyrës për Çështje të Komuniteteve për ndarjen e mjeteve, të cilat ishin dedikuar për OJQ dhe media në përkrahje të komuniteteve.Vetëm tri organizata dhe media të lidhura komunitetet kanë përfituar nga fondi, pavarësisht prej kriterit që “fituesit duhet të dëshmonin bazë në komunitet”. Gowing e ka vlerësuar të “pambrojtshëm” vendimin e komisionit. Ka thënë se si pasojë, nuk do të vazhdojë të punojë në Zyrën e Kryeministrit.“Jam lajmerue per rezultatet e vleresimit te tyre kur kane dale ne websajtin e ZKM-se. Aty kam gjete shume pak organizatet te njohura per pune me komunitetet, dhe kur i kam kontrollue ne regjistrin publik te ojq-ve, kam gjete vetem 3 qe kane nje baze ne komunitet, sipas informate ne statute qe shpallet aty”, ka thënë Growing. “Kam kerkue opinion ligjor nga Zyra Ligjore per mundesi m’e anulue nje konkurs qe ndan mjetet e shtetit ne kete menyre, dhe isha lajmerue se vetem Komisioni i Ankesave mundet me e anulu kete konkurs. Kur kuptova te henen qe komisioni nuk do ta anuloje konkursin, i kam lajmerue qe nuk mundem me vazhdue pune me Zyre per Ceshtje te Komuniteteve”, ka deklaruar ajo.Gowing ka deklaruar se nuk mund ta mbrojë integritetin e saj dhe ta mbrojë vendimin e Komisionit Vlerësues për ndarjen e mjeteve nga fondi qeveritar. Në fund, ajo ka thënë se puna e saj me kryeministrin Kurti do të vazhdojë.