Si po zhduken gjurmët e luftës?
Guri përkujtimor i Pashke Markajt është vetëm njëri nga memorialet pa përkujdesje, që dëshmon se trashëgimia e luftës po zhduket në Kosovë.100 metra larg varreve të dy djemve të saj, në fshatin Mejë të Gjakovës, në jugperëndim të Kosovës, guri përkujtimor i Pashke Markajt – nënës e cila e dogji veten me benzinë në vitin 2003, katër ditë pasi i varrosi dy djemtë e saj – mbeti i përmbysur.
Vendi ku ishte i vendosur guri përkujtimor.
Gjevalin dhe Milan Markaj ishin në mesin e 376 civilëve shqiptarë, të vrarë nga forcat serbe, në masakrën e Mejës, në prillin e vitit 1999.Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në Serbi, në vitin 2001, bashkë me më shumë se 700 trupa të kosovarëve të vrarë nga forcat serbe, gjatë luftës së viteve 1998-’99.Në vitin 2004, një vit pasi Pashke Markaj dogji veten, familjarët, në pajtim me pronarin e një toke private në fshatin Korenicë të Gjakovës, vendosën një gur përkujtimor, në vendin ku ajo u vetëflijua.Ky gur përkujtimor qëndroi në këtë tokë deri më 21 korrik 2023, kur pronari i tokës vendosi ta largonte atë.“Asnjë shenjë nuk ka qenë aty. Vetëm guri. Është vizituar nga njerëzit që e kanë ditur historinë”, thotë nipi i Pashkes, Liridon Marku, për Radion Evropa e Lirë.Në mungesë të përkujdesjes institucionale, ky monument, që familjarët thonë se për ta përfaqëson dhimbje e mërzi, u hodh skaj rrugës, pranë një grumbulli mbeturinash, në dalje të fshatit Mejë.Pronari i tokës ku ishte i vendosur guri – e me të cilin Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte – nuk i bëri publike arsyet se pse vendosi ta largonte gurin përkujtimor pas 19 vjetësh.largimi i gurit bëri bujë në media, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale në Kosovë e mori nën përkujdesje këtë monument, dhe e dërgoi atë përkohësisht në kompleksin e martirëve, në Mejë.
Aty, edhe sot, guri rri i përmbysur.
U mor në mbrojtje, por u la i përmbysur në Mejë
Derisa familja Marku mendon se guri përkujtimor i Pashkes do të “peshonte” më së miri në vendin ku ajo vrau veten, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në Kosovë tha se guri përkujtimor do të qëndrojë përkohësisht në Kompleksin Memorial “27 Prilli”, në Mejë, deri në një zgjidhje të përhershme.Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie, është zotuar se “do të sigurohet që, në pajtim me ligjin, të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ofrimin e zgjidhjes së duhur, duke ruajtur vlerat shpirtërore, historike”.
Memorialet, pa përkujdesje dhe pa informacione për vizitorët
Guri përkujtimor i Pashke Markajt nuk është monumenti i vetëm pa përkujdesje institucionale në Kosovë.Janë edhe dhjetëra objekte dhe monumente të tjera, të lidhura me ngjarjet e luftës së viteve 1998-’99, që nuk gëzojnë kurrfarë përkujdesje.Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës, në një studim të publikuar në vitin 2022, kishte identifikuar 12 vende të krimit, të cilat nuk janë të shënjuara askund, dhe që janë pak të njohura për publikun. Guri përkujtimor po qëndron i përmbysur në Kompleksin Memorial “27 Prilli”, në Mejë të Gjakovës. Aty përmenden: Burgu i Smerkonicës në Vushtrri, Spitali i Prishtinës, Ura e Lluzhanit, Xhamia e Krushës së Madhe, Varrezat masive, Stacioni i autobusëve, Stacioni i trenit në Fushë-Kosovë, Kufiri me Shqipërinë, si dhe disa lokacione të tjera.