BE nuk ka krijuar kurrfarë komisioni të përbashkët për të pagjeturit
Plagë tjetër nga lufta mbesin edhe më tej të pagjeturit. Fati i 1.600 personave ende mbetet mister. Për këtë çështje, Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, u pajtuan në muajin maj për krijim të një komisioni të përbashkët, por deri më tash nuk është bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim. Sipas marrëveshjes, komisioni do të duhej të kishte nga dy anëtarë nga Kosova e Serbia, i krijuar nga BE-ja e që do të mbikëqyrej nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.Tash e 25 vjet në Kosovë vazhdojnë të figurojnë edhe mbi 1600 persona të pagjetur nga lufta. Familjarët e tyre, kanë më shumë se dy dekada që nuk dinë për eshtrat e më të dashurve të tyre.Në lidhje me këtë çështje më 2 maj në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Republikës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, është miratuar edhe Deklarata për Persona të Zhdukur.
Në mesin e pikave në këtë Deklaratë është krijimin I një Komisioni të përbashkët nga BE-ja dhe do të mbikqyrej nga Kryqi i Kuq. “Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur, të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një komisioni të përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur ” .Por, rreth katër muaj që nga miratimi I kësaj deklarate, nuk ka ndonjë përparim në këtë drejtim.Ndonëse ende nuk ka asgjë konkrete nga Bashkimi Evropian, zyrtarët në Prishtinë tregojnë se kush mund të jenë anëtarë nga pala kosovare në këtë Komision të Përbashkët.“Kush janë këta anëtar atëherë edhe kjo është e përcaktuar me termat e referencës por nuk janë të caktuar emrat sepse mund të jenë prej kryeministrit, zv/kryeministrit që është shef i dialogut e deri tek unë. janë tri nivele që mund të jenë dhe kjo vendoste nga BE”, tha Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.Me çështjen e të pagjeturve nga pala serbe i ngarkuar është Veljko Odaloviq, të cilin Qeveria e Kosovës ka kërkuar në vazhdimësi që ai të mos jetë në këtë detyrë, për shkak të së kaluarës kriminale. I kontaktuar nga RTK, Odaloviq deklaron se procesi I krijimit të Komisionit të përbashkët është bllokuar në Bruksel.“Në disa takime në Bruksel, si delegacion nga Beogradi, kemi marrë pjesë aktive në harmonizimin e tekstit të detyrave sipas të cilave duhet të punojë ai komision i përbashkët dhe sipas të cilave rregulla. Megjithatë, disa takime në Bruksel janë tashmë një bisedë e të shurdhërve. Ne jemi gjithashtu në një situatë që nuk po bëjmë asgjë dhe nuk mund të bëjmë asgjë sepse komisioni i përbashkët nuk ka caktuar një mbledhje të vetme dhe nuk mund ta caktojë një nëse nuk i di rregullat me të cilat duhet të punoje”, Veljko Odaloviq, kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Serbisë.Sipas tij, anëtarë të komisionit të përbashkët për të pagjeturit duhet të jenë kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Ndërkohë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore thonë se për shkak të politizimit të kësaj çështje nga Serbia, janë pamundësuar gërmimet në territorin serb.
“Në këtë relacion çështja pak është politizuar për shkak të ndërprerje së komunikimit ndërmjet dy lokacioneve kemi pasur në ngecje të punimeve në territorin e Serbisë, mirëpo unë shpresojë që dialogun e Brukselit i cili do të vazhdojë jam optimist që do të kemi një për shpejtim të procesit dhe do të na ofrohet qasja edhe në territorin serb”, tha Ditor Haliti, u.d i drejtorit të IML-së.
Për zvarritjen e krijimit të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit, dakorduar në maj, RTK ka pyetur edhe Brukselin zyrtar, të cilët të enjten nuk kthyen përgjigje.