Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

Ma lini ëndrrën të lirë!

——————————–

Mos ia këputni petalet ëndrrës sime të lulëzuar

Mos ia dhunoni filizat e rilindur të shpresës

Lejojini rrezeartat e diellit ta ngrohin pa u penguar

Të jetë e bukur dhe e ndritur si agimet e pranverës!

Mos ma lini ëndrrën të vdesë në shkretëtirë

Të vetmuar, të uritur dhe të shkrumbuar nga etja

Mos ia fikni dritat e të mbetet në errësirë

Duke e burgosur të mërguar larg nga vetvetja!

Mos ia ndalni fluturimin drejt qiellit të shpresës

Duke i prerë krahët dhe lidhur me zinxhirë

Le të bëhet si arka e Noes që i shpëtoi jetën

Tê jetë një lëndinë e mbushur me lule erëmirë!

Në shtratin e lëngatës ëndrrën mos ma vini

Të lodrojë e lirë në livadhe e rrugë me e pa asfalt

Me dyer e dritare të mbyllura ëndrrën mos ma lini

Të jetë rreze dielli, anije kozmike apo dhe furrnaltë!

Le të bëhet shqiponjë, skifter a zgalem në det

Lumë i rrëmbyeshëm a vullkan i zjarrmuar

Të bëhet ujvarë madhështore, përrua apo lejlek

Krua, liqen i qetë apo dhe dallgë deti e trazuar!

Ushqejeni me dashuri për të mundur ligësinë

Jepini pak dritë për të larguar errësirën e botës

Të jetë një kopësht që kultivon përherë mirësinë

Të bëhet boshti që përshkon dy polet e tokës!

Visheni nuse me vello të bardhë e pafund stoli

Mos e lini të ndryshket në llumin e pabesive

Kompozojini refren kënge për të madhen dashuri

Të jetë bedenë kalaje përballë dallgëve e stuhive!

Ëndrrën time të bardhë kurrë mos ma torturoni

Ajo është më me vlerë se thesaret e gjithë tokës

Udhëtim të mbarë në të gjitha stinët mi uroni

E të bëhet lajmëtare paqeje e dashurisë së botës!

/www.qendrapress.com/