Nuk ka më rezerva, Qendra e Transfuzionit apelon qytetarët të dhurojnë gjak

0

    Gjendja aktuale e gjakut në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut është kritike, pasi që kërkesat janë të mëdha.

Ndonëse ka muaj që dyert e kësaj qendre janë hapur për dhurues, mungesa e gjakut vazhdon të jetë e madhe.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi, thotë për Ekonomia Online, se rezerva ka qenë e konsiderueshme mirëpo ajo nuk qëndron çdo herë.

  “Gjendja aktuale e gjakut në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut për momentin është kritike sepse kemi pasur dalje të konsiderueshëm të gjakut dhe përbërësve të gjakut për pacientët të cilët kanë pasur nevojë për transfuzion”.

“Rezerva ka qenë e konsiderueshme mirëpo ajo nuk qëndron çdo herë, kështu që kemi arritur në atë pikë që për shkak të zvogëlimit të dhuruesve dhe për shkak të numrit të shtuar të kërkesave të gjakut, kemi ardhur në atë situatë që kemi më pak sasi të gjakut dhe të përbërësve të gjakut”, tha ajo.

Mungesë e theksuar vërehet sidomos te grupet negative, të cilët sipas drejtoreshës, kanë qenë shumë të kërkuara këto dy javët e fundit.

  “Jemi përballur shumë me mungesa sidomos të grupeve negative, të cilat kanë qenë shumë të shprehura në këto dy javët e fundit. Kështu që këto mungesa kanë sjellë edhe deri te mbingarkimi i punës në Transfuzion sepse ka ardhur një muri e dhuruesve të gjakut të cilët kanë qenë me grupe tjera dhe me vështirësi kemi arrit t’i mbulojmë të gjitha kërkesat të cilat kanë qenë në grupet negative”, u shpreh ajo.

Për të dhuruar gjak, erdhën një numër i konsiderueshëm i qytetarëve. Imer Fuga nga Kaçaniku kishte ardhur enkas për të dhuruar gjak, për të cilët thotë se është e gjashta herë më radhë.

“Ndoshta pesë apo gjashtë herë nuk jam i siguritë. Po ndihem shumë mirë. Apeli im është që kush ka mundësi me dhuruar gjak e me ndihmuar ndonjë jetë është mirë. Kam dhënë disa herë, nuk kam ndonjë problem”, u shpreh ai, teksa falënderoi stafin e Transfuzionit të Gjakut.

   E Nazmi Sekiraqa thotë sesa herë që jep gjak ndihet më mirë. Kësaj radhe, ai thotë se po jep gjak për dhëndrin e tij, i cili është i shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë, raporton EO.“Unë po ndihem shumë mirë dhe është e shtata herë më radhë që jap gjak. Nganjëherë jap vullnetar por sot po jap gjak për dhëndrin tim, i cili është i shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë”, u shpreh ai, duke thënë se sa herë që jep gjak ndihet më mirë shpirtërisht.

Ndërkaq, Blerim Maçestena thotë se ka filluar një praktikë që të jap gjak dy herë në javë, varësisht edhe nga kërkesa.

“Po ndihem shumë mirë kur dhuroj gjak. Kohëve të fundit po e praktikoj dy herë në vit për të dhuruar gjak”.

“Është gjest i mirë me dhënë gjak, gjest fisnik dhe i kisha lutur të gjithë që të vijnë dhe të dhurojnë gjak, për shkak se edhe na kanë bërë thirrje dhe është e nevojshme”, u shpreh ai duke thënë se ka bërë disa kilometra vetëm për të dhuruar gjak. /Reporteri.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *