Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sabit RRUSTEMI

I GJITHANSHMI

( Sabit Rrustemi, kushtuar babit Zija)

nuk kam menduar se t’lë pa frymë vdekja Ty

larg qoftë

as edhe një çast

thosha me vete

s’ka qysh ta ngjet

se ti lehtësisht

me një lëvizje trupi dore a syri

mund ta lije duke qeshur

a folur vetëmëvete

si të lojturit mendsh

të përhanurit

a si dikush që zgjohet prej gjumit jermueshëm

e ecë e ecë derisa nuk e prekë një dikush tjetër

prej kur të njihja

mbi gjysmë shekulli e fiu

ti ishe ai i paprekshmi

ai i përkëdheluri prej të gjithëve

si i pari

më i madhi n’atë trup të vogël

që me një frymë mund të të rrëzonte

po,

ec e preke

madje as me gishtin e vogël

përdersa ti i kapje për veshi e për hunde

edhe burrat me shervete rreth veshëve

e mustaqe të dredhura afër veshëve

ju hipje dhe në qafë

e mund t’i bëje qull dhe me një kalem ujë

se

dajtë e fortë i kishe

një orë e sa udhë bëje këmbë prej kodrës në kodër

e prej malit në mal

e asnjë vremç nuk guxonte të të trembte

madje as mëllenjat që na i shtinin të dridhmet

me ato fluturime e britma

lëre më njerëzit

po ty nuk të rrëzonte as gomari

kali nuk ta mëshonte shqelm kur e kapje për bishti

e nuk të vriste as karaxha

ai mëzati errëzak i Xhelëve

që krejt ia kishim frikën

sa herë vinte pranvera e ai hante jeshil

me namin e të parit ti shkove larg

shehrin e Gillanit e bëre Lamë mielli

me shkuarje ardhje

e shkele dhe Shkupin

e për Preshevë e Kumanovë mos t’flasim

si bindebiri vetë

më vonë kërceve shkove larg

perëndim e lindje i kape në valle

e i bëre lole

amidis Gjeneve e Parisi

sa nuk t’mjaftoi as Stambolli

daja

ai më i madhi

sa herë t’thoshte

ti, njime

një pllamë njeri e tri seri

kur t’shihte duke e luajtur Deli Agushin

thoshte

jo more tybe s’je ti

e mos ta përmendi tash Fujzën

a Vallen e Kaçakëve

dhe njëherë s’tregove se hapat e parë i luajte

mbi shpinë dashi e cjapi

derisa u shtrive n’kokërr shpine në një lëkurë bualli

besa

i a more dorën mbledhimit

dasmës e pajtimit

sa dhe t’parët e besimit

pa ty nuk e nisnin lutjen e faljen

e çka po do më shumë

jetës ia pive lezetin

ku deshe preke

puthe

e valle loze

derisa edhe djallin e përzure prej gote

kujt dorën s’ia shtrive

po as thatë kurrë kujt s’ia ktheve

tapinë e të gjithanshmit

ta dha vetë Anton Çetta

e ç’deshe më shumë nipçe

me ty keq u mashtrua vdekja

hajt Tungjatjeta

( 11 Shtator 2021 )

/www.qendrapress.com/