“Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit me presidentin e Serbisë, Vuçiq, të ftuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se nuk mund të bënte kompromis me “kushtëzimin e vjetër të Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit”, tha Kurti.

Ai tha se ka qenë i vetmi në takim që ka propozuar “një udhërrëfyes të sekuencuar” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, të arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe të aneksit të zbatimit të saj, të dakorduar në Ohër, më 18 mars.

“As nga pala serbe dhe as nga pala e Brukselit nuk ka pasur kurrfarë dokumentesh si propozime”, tha kryeministri i Kosovës.

Sipas tij, kushtëzimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, tha Kurti.

Ai tha se Lajçak e ka bërë këtë “në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”.

Para gazetarëve, ai ka treguar se ua ka bërë të qartë Borrelit e Lajçakut se “tani nuk është koha e Hashim Thaçit”, një aludim se ky nuk lëshon pe. “Mua mu desh t’ju them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, kur në dhomë ndodheshin Baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Nuk është marrëveshja e vitit 2013”.

Shtoi se është gjithmonë i gatshëm të diskutojë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por se draft-statuti i tij “nuk mund të negociohet nëse, fillimisht, nuk biem dakord për udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes”.

“Shpreh gatishmërinë time të plotë që secilin nen të Marrëveshjes bazike, secilën fjali të preambulës dhe secilën pikë të aneksit të Ohrit, jam i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë – në plotni, pa asnjë kusht”, tha kryeministri i Kosovës.

Për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës – si mundësi për shtensionimin e situatës atje – Kurti tha se është i interesuar dhe se ato duhet të mbahen duke e respektuar Udhëzimin Administrativ, që ka nxjerrë Qeveria e tij.“Nuk mund ta detyrosh askënd” që të japë dorëheqje”, tha Kurti, duke iu referuar kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.Deklarimi i plotë për medie i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të nivelit të lartë politik të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell: